Furkan Abdula
06 Qershor 2019•Përditësim: 07 Qershor 2019
Trajneri i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll, Igor Angellovski, si dhe kapiteni i kësaj skuadre, Goran Pandev, mbajtën konferencë për media në prag të ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë në Grupin G për kualifikimet në EURO 2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshja do të zhvillohet nesër në arenën kombërare “Todor Proeski” në Shkup. Angellovski tha se është i lumtur që punon me futbollistë dhe personalitete të tilla.
“Me të vërtetë është kënaqësi të punohet në një atmosferë të tillë. Si në ndeshjet e kaluara ashtu edhe në atë të nesërme do të dalim me qëllim që të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Angellovski, duke përshkruar përfaqësuesen e Polonisë si cilësore.

“Unë vazhdimisht u them futbollistëve se fare nuk është me rëndësi se me kë luajmë, por me rëndësi është për çka luajmë dhe si do të luajmë. Unë e di se nesër ata do të dalin në terren dhe do ta lënë zemrën në fushë, duke luftuar për çdo top, duke luftuar deri në atomin e fundit të fuqive të tyre me qëllim që të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Angellovski.
Kapiteni Pandev tha se janë të përqendruar në ndeshjen kundër Polonisë dhe se janë të përgatitur mirë për këtë përballje.
“Jemi përgatitur mirë, e dimë se na presin dy ndeshje të vështira. Jemi të përqendruar vetëm në përfaqësuesen polake dhe kjo ndeshje mund të na tregojë rrugën e duhur në kualifikimet tona. Nëse i fitojmë polakët, do të kemi shanse të plasohemi në një garë të madhe”, shtoi Pandev.
“Shpresoj se me ndihmën e publikut mund t’i fitojmë polakët”, theksoi Pandev.
Ai tha se përfaqësuesja e tyre është cilësore dhe se është gjenerata më e mirë e ekipit që ka luajtuar deri tani.
“Këto janë ndeshjet e duhura për të dëshmuar cilësinë tonë. Meqë kjo përfaqësuese ka mentalitet fitues”, tha Pandev.