Şenhan Bolelli
11 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
MADRID (AA) - Real Madridi prezantoi mbrëmë në Santiago Bernabeu përforcimin e fundit të ekipit, mbrojtësin 19-vjeçar francez Theo Hernandez, i cili tek madrilenët erdhi nga rivalët e qytetit Atletico, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas nënshkrimit të kontratës me klubin “Mbretëror”, Hernandez tha se ka ardhur në Real për të fituar trofe.
“Jam këtu për të luajtur në klubin më të mirë në botë, dhe për të mësuar nga lojtarët më të mirë. Jam këtu për të fituar trofe”, u tha Hernandez gazetarëve.
Gjatë prezantimit të të riut të talentuar, presidenti i klubit, Florentino Perez, tha se bëhet fjalë për një lojtar të mrekullueshëm.
“Sezonin e kaluar, keni qenë një nga lojtarët më të mirë që premtonin shumë. Ju keni dëshmuar se posedoni talentin dhe se mund të luani në Real. Keni një mundësi të shkëlqyeshme të luani në Real Madrid dhe të shkruani historinë këtu”, tha Perez.
Shuma e kompensimit të cilin do ta paguaj Reali është rreth 30 milionë euro, ndërsa mbrojtësi i majtë nënshkroi një kontratë gjashtë vjeçare.