Dejan Maksimoviç
10 Janar 2016•Përditësim: 10 Janar 2016
SHKUP (AA) - Sot në Beograd do të fillojë Kampionati Evropian në vaterpolo. Gara do të mbahet në arenën me pamje impozante që është dekoruar posaçërisht për këtë ngjarje, në të cilën titullin e kampionit aktual do ta ruaj ekipi i Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Salla më e madhe sportive në Beograd është dekoruar para fillimit të garës. Organizatorët kanë ngritur dy pishina të mëdha për të luajtur dhe një pishinë tjetër të vogël ndihmëse. Kapaciteti i palestrës u reduktua në 11 mijë vende, ashtu që çdo shikues të mund të shoh çdo detaj që ndodh në ujë.
Organizatorët me montimin e pishinave kanë filluar më 27 dhjetor dhe përfunduan më 4 janar. Në Kampionatin Evropian në Serbi do të marrin pjesë 16 ekipe meshkujsh dhe 12 ekipe femrash. Është interesante se të gjitha ndeshjet në të dy garat do të luhen në pishinën e njëjtë.
Konkurrentët më të mëdhenj të Serbisë në luftën për medaljen e artë tradicionalisht do të jenë Kroacia, Hungaria, Italia, Mali i Zi, kurse në luftën për medaljet mund të ndërhyjnë Spanja dhe Greqia. Kombëtaret tjera vështirë se mund të shpresojnë për një rezultat të madh.
Turneu i meshkujve do të hapet më 10 janar në orën 09:30, në mes të kombëtares së Spanjës dhe Sllovakisë, të xhiros së parë të Grupit A. Kurse ndeshja finale është planifikuar për 23 janar në ora 17:45.
Për femrat titullin e kampionit evropian e mban Spanja. Turneun do ta hapin kombëtaret e Portugalisë dhe Greqisë më 10 janar në ora 11:00, kurse finalja do të luhet më 22 janar në ora 20:15.
Kampionati Evropian në Vaterpolo që do të mbahet në Beograd nga 10 deri më 23 janar, është ngjarja e parë e madhe sportive e këtij viti.