Ekip
10 Mars 2018•Përditësim: 11 Mars 2018
OFTERSCHWANG (AA) – Skiatorja amerikane në disiplinat alpine, Mikaela Shiffrin, pas triumfit të premten në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, sot i siguroi vetes edhe globin e vogël të kristaltë në sllallom, që për amerikanen është i pesti në gjashtë sezonet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shiffrin në shtegun Ofterschwang në Gjermani, kishte një shfaqje të jashtëzakonshme, ku shënoi edhe një fitore në sllallom këtë sezon, me çka i siguroi vetes globin e kristaltë.
Në garën e parafundit për këtë sezon, ameriaknja regjistroi një kohë të përgjithshme prej 1:49,10 minuta. Vendi i dytë i takoi zviceranes Wendy Holdener e cila kishte një mbetje prej nëntë të qindtave , ndërsa e treta përfundoi suedezja Frida Hansdotter e cila mbeti pas fitueses për 72 të qindtat.
Shiffrin këtë sezon regjistroi 11 fitore, duke çuar ne 42 numrin e fitoreve të përgjithshme në karrierën e saj, ndërkohë që mosha e saj është vetëm 23 vjeçe.
Nga viti 2013 e këndej, e reja amerikane ka fituar pesë globe të vogla të kristalta në sllallom, përveç në vitin 2016, pasi nga shkaku i një dëmtimi të gjurit, nuk mori pjesë në pesë gara të sllallomit.
Përveç globit të vogël në sllallom, Shiffrin mbrojti titullin e më të mirës në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës.