SHKUP (AA) – Federata e Futbollit të Maqedonisë e fitoi besimin nga UEFA për organizimin e duelit ekskluziv mes fituesve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës për sezonin e vitit 2016-2017, ndeshje e cila do të zhvillohet në muajin gusht të vitit 2017 në stadiumin kombëtarë “Filipi i II-të” në Shkup dhe për herë të parë në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).
Vendimin që Shkupi të jetë mikpritës i dy ekipeve më të mira evropiane e solli Komiteti ekzekutiv i Unionit evropian të futbollit të hënën e kaluar në takimin në Pragë. Me rastin e marrjes së këtij besimi nga UEFA, ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Vlado Misajlovski dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Ilço Georgievski, në një deklaratë për shtyp e cilësuan ngjarje historike dhe që paraqet një mirënjohje të madhe për futbollin e Maqedonisë dhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Ilço Georgievski, në fjalën e tij theksoi se janë të frymëzuar nga mënyra në të cilën UEFA nën drejtimin e Michel Platini ka marrë këtë vendim, pasi që në të gjitha vendimet siç tha, ndjenë dashuri për futbollit dhe respekt për të gjithë popujt, pavarësisht madhësisë së tyre dhe ndikimit financiar.
“Për futbollin e Maqedonisë është një nder i madh që do të ketë një rol qendror dhe historik në ndërtimin e një imazhi të jashtëm pozitiv të vendit tonë, por kjo gjithashtu është një detyrim dhe përgjegjësi. Me marrjen e besimit që të jemi mikpritës i një ngjarjeve më të mëdha të futbollit i plotësojmë ambiciet për të bërë një hap përpara dhe të kontribuojmë në futbollin evropian. Kjo është një prirje që korrespondon në kohët moderne, ndërsa ne pa kushte e ndjekim”, deklaroi Georgievski.
Georgievski në vazhdim të fjalës së tij tha se Shkupi është qyteti i parë në rajon që merr organizimin e një ndeshje prestigjioze të tillë futbolli. “Super Kupa është një ngjarje që do të jetë një moment dhe motiv i madh për zhvillimin e futbollit në vendin tonë dhe me siguri në rajon, ndërkohë gjithashtu një mundësi e madhe për Maqedonisë për tu promovuar dhe afirmuar para publikut botëror”, tha ai, duke shtuar se me fitimin e këtij besimi Shkupi do të jetë mikpritës i ngjarjes që ndiqet nga miliona njerëz në botë.
Nga ana tjetër, ministri i Lidhjeve dhe Transportit, Vlado Misajlovski, theksoi se Qeveria dhe Ministria do të vazhdojnë të investojnë në fonde deri sa arena të marrë pamjen përfundimtare. Ai shtoi se sot të gjithë maqedonasit janë krenarë dhe shprehu bindje se Maqedonia do të jetë një mikpritëse e shkëlqyer e kësaj gare të madhe
“Do të promovojmë Maqedoninë në dritën më të mirë. Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë cilësinë e arenës tonë kombëtare. Koha është e shkurtër, por ne do të përdorim mënyrën më të mirë të mundshme për tu paraqitur si mikpritës të mirë”, tha ai.
Në konferencën e përbashkët i pranishëm ishte edhe drejtori i Shoqatës Aksionare për ndërtim dhe ekonomizim të hapësirës banesore, Cvetko Grozdanov, i cili njoftoi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që Maqedonia të paraqitet si një mikpritëse e shkëlqyer e Super Kupës Evropiane 2017.
Në konferencën u promovua edhe trofeu që do ti ndahet fituesit të Super Kupës. Ndeshja nën ombrellën e UEFA-s filloi të organizohet në vitin 1973. Milani është ekipi më i suksesshëm me pesë tituj të fituar. Në gusht të këtij viti, Barcelona dhe Sevilja do të luftojnë për trofeun Tbilisi. Pasi UEFA vendosi që Super Kupa të mos luhet vetëm në Monako, ajo u mbajt edhe në Kardif në vitin 2014 dhe Pragë 2013.