Saimir Alija
11 Nëntor 2020•Përditësim: 12 Nëntor 2020
Ka përfunduar me rezultatin 2-1 ndeshja miqësore mes Kombëtares së Shqipërisë në Futboll dhe asaj të Kosovës, e cila u luajt në stadiumin “Elbasan Arena”, raporton Anadolu Agency (AA).
Miqësorja në qytetin e Elbasanit nisi me një ritëm të ulët me shumë pak raste për shënim për të dy ekipet. Shqipëria kaloi në avantazh me golin e shënuar nga Bekim Balaj në minutën e 31-të.
Në pjesën e dytë Shqipëria shënoi golin e dytë, ku Myrto Uzuni në minutën e 65-të vulosi fitoren e Shqipërisë.
Ndërkaq, ekipi i Kosovës ngushtoi rezultatin në minutën e 85-së të takimit me anë të një penalltie, me golin e shënuar nga Vedat Muriqi.
Për sigurimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes miqësore Shqipëri-Kosovë, që u zhvillua pa tifozë për shkak të masave anti-COVID-19, Policia e Shqipërisë kishte ndërmarrë një plan masash.
Shqipëria do të ketë dy ndeshje zyrtare në ditët në vazhdim në kuadër të UEFA Ligës së Kombeve, më 15 nëntor me Kazakistanin dhe 18 nëntor me Bjellorusinë.