15 Nëntor 2022•Përditësim: 16 Nëntor 2022
MUTLU DEMİRTAŞTAN -
Vetëm 8 vende deri më tani e kanë fituar kompeticionin më të rëndësishëm në botë për futboll, FIFA Kupën e Botës, i cili organizohet që nga viti 1930, shkruan Anadolu Agency (AA).
Kupa e Botës e cila është organizuar 21 herë mes viteve 1930-2018, përveç në Luftën e Dytë Botërore, më së shumti është fituar nga kombëtarja e Brazilit. Kombëtarja e Brazilit ka arritur 5 herë të fitojë Kupën e Botës. Italia dhe Gjermania nga 4 herë kanë arritur të fitojnë Kupën.
Argjentina, Uruguaji dhe Franca nga dy herë si dhe Anglia dhe Spanja nga një herë.
Deri më sot 5 vende evropiane dhe 3 të Amerikës së Jugut e kanë fituar Botërorin ndërsa nga kontinentet tjera ende nuk ka kampion.
- Uruguaji, Anglia dhe Spanja nuk kanë humbur në finale
Në historinë e Kupës së Botës, Uruguaji, Anglia dhe Spanja në ndeshjet e finales që kanë luajtur kanë arritur ta fitojnë kupën.
Uruguaji në mesin e tyre dy herë ka arritur deri në finale duke fituar të bëhet kampion në dy finalet. Anglia dhe Spanja nga një herë në histori kanë arritur në finale dhe kanë fituar kupën.
- Holanda, kombëtarja më e pafat në Kupën e Botës
Ndërkohë, Holanda spikatet si kombëtarja më e pafat në historinë e Botërorit.
Ata arritën 3 herë në finalet e Kupës së Botës por asnjëherë nuk arritën të fitojnë.
Finalen e parë të cilën e humbi Holanda ishte në vitin 1974 nga vendi organizator Gjermania Perëndimore, ndërkaq në vitin 1978 humbi ndaj Argjentinës e cila ishte organizatore e Kupës së Botës. Në vitin 2010 në Afrikën e Jugut, Holanda humbi në minutat shtesë nga Spanja.
Çekosllovakia dhe Hungaria janë në mesin e kombëtareve që kanë luajtur nga dy herë finale por asnjëherë nuk kanë arritur të fitojnë.
Suedia dhe Kroacia gjithashtu me nga një finale janë kombëtaret që kanë mbetur një hap larg Kupës së Botës.
- Gjermania 8 herë, Brazili 7 herë finalist
Brazili dhe Gjermania janë kombëtaret me më shumë finale të luajtura në Botëror.
Gjermania deri më tani ka luajtur në 8 finale, Brazili në 7, Italia në 6, Argjentina në 5 dhe Franca në 3 finale.
Edhe pse Gjermania dhe Brazili janë kombëtaret me më shumë finale, vetëm në Botërorin e vitit 2002 që u organizua në Korenë e Jugut dhe Japoni, u përballën në finale. Këtë finale e fitoi Brazili me rezultatin 2-0.
- Finalet dhe rezultatet
Finalet dhe rezultatet në historinë e FIFA Kupës së Botës janë si në vijim:
Viti | Kampioni | Finalisti | Rezultati |
1930 | Uruguaji | Argjentina | 4-2 |
1934 | Italia | Çekosllovakia | 2-1 (koha shtesë) |
1938 | Italia | Hungaria | 4-2 |
1950 | Uruguaji | Brazili | 2-1 |
1954 | Gjermania Perëndimore | Hungaria | 3-2 |
1958 | Brazili | Suedia | 5-2 |
1962 | Brazili | Çekosllovakia | 3-1 |
1966 | Anglia | Gjermania Perëndimore | 4-2 (koha shtesë) |
1970 | Brazili | Italia | 4-1 |
1974 | Gjermania Perëndimore | Holanda | 2-1 |
1978 | Argjentina | Holanda | 3-1 (koha shtesë) |
1982 | Italia | Gjermania Perëndimore | 3-1 |
1986 | Argjentina | Gjermania Perëndimore | 3-2 |
1990 | Gjermania Perëndimore | Argjentina | 1-0 |
1994 | Brazili | Italia | 0-0 (3-2 në penalti) |
1998 | Franca | Brazili | 3-0 |
2002 | Brazili | Gjermania | 2-0 |
2006 | Italia | Franca | 1-1 (5-3 në penalti) |
2010 | Spanja | Holanda | 1-0 (koha shtesë) |
2014 | Gjermania | Argjentina | 1-0 (koha shtesë) |
2018 | Franca | Kroacia | 4-2 |