Tranjeri i Beşiktaş-it, Şenol Güneş konferencë në Tiranë: Jemi këtu për fitore
Güneş ka pohuar se skuadrat shqiptare janë në rritje përsa i përket futbollit, për këtë arsye, ai shprehet se “nuk mund të them që është një skuadër e vogël”
TIRANË (AA) - I ndodhur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në kuadër të ndeshjes me ekipin e Skënderbeut, për UEFA Europa League, Grupi H, trajneri i skuadrës së Beşiktaş-it, Şenol Güneş ka mbajtur një konferencë për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për shtyp Güneş u shpreh se është shumë i lumtur që ndodhet në Shqipëri. “Do të luajmë ndeshjen e parë në grup, e vlefshme për UEFA Europa League. Ata luajnë në shtëpi. Duam të luajmë mirë dhe të përfundojmë mirë këtë ndeshje. E di që ata do të bëjnë më të mirën dhe për këtë arsye mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur. Do të luajmë një futboll që të gjithë të kënaqen, pasi po luajmë përballë një Skënderbeu që ka mbështetjen e tifozerisë” u shpreh Güneş në vazhdim të fjalës së tij.
Ndër të tjera Güneş ka pohuar se skuadrat shqiptare janë në rritje përsa i përket futbollit, për këtë arsye, ai shprehet se “nuk mund të them që është një skuadër e vogël”. Ai vazhdoi më tej duke thënë se këtë ndeshje e kanë marrë seriozisht. “Duam të fitojmë këtë ndeshje dhe të ecim përpara të sigurtë”.
Nga ana tjetër kapiteni i Beşiktaş-it, Tolga Zengin në fjalën e tij tha se nesër do të dalin në një ndeshje të vështirë. “Mbase duket si një nga ndeshjet më të lehta, por për ne do të jetë e vështirë pasi do të luajmë në një mot të nxehtë. Synimi jonë i vetëm është të kthehemi me një fitore. Synimi jonë kryesorë është ndeshja e nesërme. Ne nuk mendojmë për asnjë gjë tjetër veçse për ndeshjen e nesërme” u shpreh Zengin.
Pas konferencës për shtyp skuadra e Beşiktaş-it ka zhvilluar një stërvitje në stadiumin kombëtarë “Qemal Stafa” në Tiranë.
Ndërkohë edhe trajneri i ekipit të Skënderbeut, Mirel Josa ka dhënë një deklaratë për mediat sot para ndeshjes me Beşiktaş-in. Ai ka pohuar se për ekipin e tij kjo ndeshje është një eksperiencë e re, duke u shprehur se beson në një përfaqësim dinjitoz të skuadrës së tij.
Ndeshja do të zhvillohet nesër në orën 21.05 në stadiumin “Elbasan Arena” në qytetin e Elbasanit. Kjo ndeshje do të drejtohet nga arbitri hungarez, Tamas Bongar si arbitër kryesorë dhe ndihmësit e tij do të jenë Laszlo Viszokai dhe Gabor Erös, ndërsa arbitri i 4 do të jetë Oszkar Lemon, dhe arbritrat shtesë Zsolt Szabo dhe Peter Solymosi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.