Aylin Sırıklı
09 Nëntor 2016•Përditësim: 09 Nëntor 2016
ANKARA (AA) - Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdağ, ka qenë i pranishëm sot në tryezën e editorëve të Anadolu Agency (AA). Ai ka theksuar se Turqia do të punojë me SHBA-në, pavarësisht se kush zgjidhet president.
"Kë do që të zgjedhë populli amerikan si president, Turqia do të vazhdojë të punojë me të. Marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në janë marrëdhënie mes shtetesh. Kemi interesa të përbashkëta dhe shumë marrëveshje. Në këtë kontekst kemi një marrëdhënie që ecën. Ndryshimi i presidentëve nuk mund të çojë në ndryshim rrënjësor të marrëdhënieve. Normalisht ndryshimi i një presidenti në SHBA nuk sjell ndryshime rrënjësore, por mund të ketë edhe ndryshime. Mund të ketë përshpejtim të disa zhvillimeve. Ndonjëherë mund të ketë ngadalësime. Un shpresoj që në kohën e Trump marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së të jenë më të mira. Pritshmëritë tona janë për ti çuar ato më përpara. Të presim që presidenti i ri të fillojë nga puna dhe më pas do të shohim të gjithë së bashku", është shprehur ai.
Ndërsa pyetjes se si mund të jenë marrëdhëniet Turqi-SHBA-së pas zgjedhjes së Trump, Bozdağ ka thënë se shpreson që të jetë për mirë për SHBA-në dhe të gjithë botën.
''Populli amerikan i tha 'jo' drejtimit nga të tjerët të vullnetit të tyre''
"Askush nuk fiton përmes titujve të gazetave, anketave dhe televizioneve. Në fund të fundit populli është ai që voton. Ajo që unë kam parë në strategjinë e zgjedhjeve është se populli amerikan i ka thënë 'jo' drejtimit nga të tjerët të vullnetit të tyre'', tha ministri turk i Drejtësisë, Bozdağ.
Ndërsa në lidhje me arrestimin e disa deputetëve të HDP-së, Bozdağ tha: "Turqia është një shtet i ligjeve. Të gjithë përpara ligjit janë të barabartë. Normalisht ashtu sikurse veprohet ndaj një qytetari përpara ligjit, ashtu veprohet edhe ndaj një deputeti imuniteti i të cilit është hequr. Ajo që kanë bërë prokurorët në këtë gjë është vetëm zbatimi i ligjit. Ajo që është gabim këtu është dalja kundër zbatimit të ligjit dhe ajo që kanë bërë deputetët e HDP-së. Ka edhe deputetë të tjerë që nuk kanë shkuar në prokurori dhe nuk i janë përgjigjur thirrjeve. Unë iu bëj thirrje të gjithëve, të shkojnë dhe të zbatojnë ligjin pa pasur parasysh se cilës parti i përkasin".
''Askush nuk mund ti japë urdhër drejtësisë turke''
''Ditën e djeshme disa ambasadorë shkuan në mbledhjen e grupit parlamentar të HDP-së dhe treguan jorespekt. Tentuan të ndikojnë në drejtësinë dhe sistemin e drejtësisë së Turqisë. Askush nuk mund ti japë urdhër drejtësisë turke, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e CHP-së, shtetet e BE-së, etj. Drejtësia e Turqisë është asnjanëse ashtu sikurse është një drejtësi e një shteti të Bashkimit Evropian", ka theksuar Bozdağ.
''Kush punon kundër Turqisë, aleat natyral i Gjermanisë''
Në vijim të fjalës së tij Bozdağ tha: ''Kush punon kundër Turqisë, është kthyer në një aleat natyral të Gjermanisë. Po të shikoni vendet evropiane, kush punon kundër Turqisë, në një mënyrë apo në një tjetër e marrin në mbrojtje, e thërrasin në rezidenca shtetërore. Ajo që jepet në këtë mesazh është kjo; kush punon kundër Turqisë ka vend mbi kokën tonë. Dhe pranohet në nivelet më të larta, deri tek presidenti".
"Ky është një projekt ndërkombëtar për të lënë në vështirësi Turqinë"
"Ky është një projekt ndërkombëtar. Tentativat dhe përpjekja për të treguar se Turqia ndihmon organizatën terroriste DEASH, si dhe ndërhyrja përmes urdhrave të kryeterroristit Gylen ndaj militantëve të tij brenda sistemit të drejtësisë së Turqisë, është një operacion ndërkombëtar për të lënë në vështirësi Turqinë".
Ndërsa duke kritikuar vendimet dhe veprimet e vendeve evropiane ndaj Turqisë, ministri Bozdağ tha: "Prej shumë kohësh BE-ja po shikon çdo ditë e më shumë si më të mira çdo gjë që është kundër Turqisë. Me vendimet që merr kjo gjë duket qartë. A nuk ndodh asnjë gjë pozitive në Turqi? Nëse do të shohim raportet e tyre, duket qartë që vlerësimet bëhen në vende të tjera dhe zhvillimet pozitive nuk përfshihen në to''.