Sena Güler,Dilara Hamit
07 Gusht 2019•Përditësim: 07 Gusht 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Azia po bëhet qendër e fuqisë ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke iu drejtuar ambasadorëve turq në një darkë të organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme të Turqisë (DEIK) dhe Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM) në kryeqytetin Ankara, kryediplomati turk tha se fuqia ekonomike po zhvendoset nga Perëndimi në Lindje.
“Ne jemi duke parë se fuqia ekonomike po drejtohet nga Perëndimi në Lindje dhe Azia ka filluar të shfaqet si qendër e fuqive”, tha Çavuşoğlu.
Ai po ashtu bëri të ditur se institucioni që ai udhëheq ka filluar një nismë të re të quajtur “Azia Anew”, që synon përmirësimin e lidhjeve me vendet aziatike në rajone të ndryshme.
Nisma do të përfshijë bashkëpunimin në arsim, industrinë e mbrojtjes, investimet, tregtinë, teknologjinë, kulturën dhe dialogun politik.
“Bota po kalon një proces ndryshimi”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se “periudha e paparashikueshme e tranzicionit dhe dominimi i pasigurive” janë aspektet më sfiduese të procesit.
Duke vënë në dukje se paparashikueshmëria e bën të vështirë vendosjen e një objektivi, ai shprehu besim se vendi i tij do t’i tejkalojë këto probleme.
Duke përshkruar luftërat tregtare si “luftëra të reja teknologjike”, Çavuşoğlu theksoi se fituesit do të jenë ata që investojnë në inovacion dhe teknologji.
“Këtë vit, ne në veçanti i kushtojmë rëndësi diplomacisë dixhitale. Ne e dimë se ekonomia e fuqishme do të thotë një politikë e jashtme e fuqishme”, shtoi ai.
Çavuşoğlu theksoi se me rëndësi është të ndiqet e analizohet drejtimi në të cilin fuqia e ekonomisë është drejtuar dhe të krijohen politika në përputhje me rrethanat.
“Kolegët tanë kanë përfituar nga takimet, kemi zhvilluar këshillime me bizneset. Këtë vit jemi përmirësuar më shumë dhe nuk dyshojmë se do të zhvillojnë takime më produktive vitin e ardhshëm”, tha ai.
Kryediplomati turk theksoi se me konferencën e ambasadorëve Turqia synon të japë mesazhin “të jetë e fortë në fushë, por edhe në të gjithë tryezën”.
“Ne duhet të jemi të fortë në fushë dhe duhet të jemi të fortë në tryezë. Nëse jemi të fortë në fushë, ne mund të arrijmë qëllimin tonë në tregti, në investime dhe në marrëdhëniet tona të brendshme. Por, ne duhet të ruajmë fitimet tona, të arritura në fushë, si dhe në tryezë”, deklaroi Çavuşoğlu.