Meltem Bulur,Zuhal Demirci
19 Prill 2017•Përditësim: 20 Prill 2017
ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se presin të caktojnë datë që presidenti i vendit Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij amerikan Donald Trump të takohen në muajin maj para samitit të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë për media pas takimit në Ankara me homologun e Republikës Dominikane, Miguel Vargas, Çavuşoğlu tha se duan të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve të tyre, dhe se për këtë arsye në Santo Domingo në vitin 2013 është hapur Ambasada e Republikës së Turqisë. Sipas tij, së shpejti edhe në Ankara do të hapet Ambasada e Republikës Dominikane.
Ai shtoi se ata kanë nënshkruar marrëveshje individuale për të lehtësuar punën e sipërmarrësve në vend, por edhe se marrëveshje të caktuara janë në negociata.
Sipas tij, janë të gatshëm për të zbatuar marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe se ato do të zbatohen pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Turqisë.
Çavusoglu falënderoi zyrtarët në Republikën Dominikane për përpjekjet e tyre në luftën kundër organizatës terroriste FETO.
I pyetur në lidhje me telefonatën mes presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit amerikan Donald Trump dhe në lidhje me vizitën e planifikuar në Washington, Çavuşoğlu tha se gjatë bisedës telefonike është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe se dy liderët kanë shfaqur dëshirë për t'u takuar në Washington për zhvillimin e marrëdhënieve.
Çavuşoğlu shtoi se këtë çështje e kanë biseduar edhe me homologun e tij amerikan Rex Tillerson. "Ne do të caktojmë një datë që presidenti Erdoğan dhe presidenti Trump të takohen para samitit të NATOS, ashtu siç kanë konfirmuar për muajin maj", tha Çavuşoğlu.
Ministri turk Çavuşoğlu vuri në dukje se Erdoğan gjithashtu e ka informuar homologun e tij Trump në lidhje me zhvillimet në Siri. Ai shtoi se teksa në njërën anë zhvillohet luftë efikase kundër organizatës terroriste DEASH, nga ana tjetër nuk duhet shpërfillur edhe zgjidhja politike.
Duke komentuar mbi referendumin për ndryshime kushtetuese në Turqi që u mbajt të dielën, në të cilën populli turk shprehi mbështetje për sistemin presidencial në vend, Çavuşoğlu tha se Turqia ka ftuar organizatat e huaja, duke përfshirë edhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), të shohin se në Turqi është zhvilluar proces demokratik dhe transparent.
"Detyra e OSBE-së është që të bëjë analizë teknike. Ajo nuk mund të bëjë analiza politike. Nuk ka asnjë të drejtë për të", theksoi Çavuşoğlu.