Turqia

Çavuşoğlu: Jemi pranë Kazakistanit me të gjitha mundësitë tona

Ministri Çavuşoğlu tha se pas zhvillimeve në Kazakistan ministrat e jashtëm të Organizatës së Shteteve Turke janë mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe theksoi se të gjithë janë prekur thellë nga zhvillimet në Kazakistan

Mehmet Şah Yılmaz, Muhammet Tarhan  | 11.01.2022 - Përdıtësım : 12.01.2022
Çavuşoğlu: Jemi pranë Kazakistanit me të gjitha mundësitë tona Foto: Fatih Aktaş / AA

Ankara

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke theksuar se e kanë detyrim të jenë pranë Kazakistanit në ditë të vështira tha se janë të gatshëm të mobilizojnë të gjitha mundësitë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Çavuşoğlu mori pjesë në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të Organizatës së Shteteve Turke, që u mbajt online për çështjen e zhvillimeve të fundit në Kazakistan.

Në fjalimin e tij në takim, Çavuşoğlu tha se pas zhvillimeve të përjetuara në Kazakistan ministrat e jashtëm të Organizatës së Shteteve Turke janë mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ai theksoi se të gjithë janë prekur thellë nga zhvillimet në Kazakistan, i cili është një anëtar i rëndësishëm i familjes së botës turke.

Çavuşoğlu theksoi se i kanë ndjekur me shqetësim zhvillimet në Kazakistan, se bota turke është një familje e madhe dhe se janë të lidhur me njëri-tjetrin si organet e trupit. "I gjithë trupi vuan kur një pjesë e tij dhemb. Edhe ne si popull shprehim keqardhje të madhe nga zhvillimet në Kazakistan. I uroj të shkuara popullit të Kazakistanit dhe vëllait tim Mukhtar (ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Mukhtar Tleuberdi). Uroj mëshirë nga Allahu për ata që kanë humbur jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit. Si familja e shteteve turke ndodhemi pranë vëllezërve tanë kazakë dhe jemi në solidarizim me ata në këtë kohë të vështirë", deklaroi Çavuşoğlu.

Më tej Çavuşoğlu vuri në dukje kënaqësinë që situata është vënë nën kontroll si dhe u shpreh se janë të lumtur që Alikhan Smailov është emëruar kryeministër i ri i Kazakistanit dhe se do të vazhdojnë të punojnë në bashkëpunim me të.

"Jemi pranë Kazakistanit me të gjitha mundësitë dhe jemi të gatshëm të mobilizojmë të gjitha mundësitë tona"

Paqja dhe stabiliteti në Kazakistan janë të rëndësishme si për rajonin dhe organizatën ashtu edhe për paqen globale, theksoi Çavuşoğlu.

"Kazakistani ka aftësinë, përvojën dhe traditën shtetërore për të kapërcyer këtë krizë. Në përputhje me vizionin e presidentit tonë të nderit Nursultan Nazarbayev dhe presidentit Kassym-Jomart Tokayev, është formuar një mendje e fortë shtetërore. Edhe populli kazak ka sensin për të treguar frymën e unitetit dhe bashkimit me qëllim për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve aktuale", tha ai.

Kryediplomati turk vuri në dukje se mesazhi kryesor i deklaratës së përbashkët që ata bënë si Organizatë e Shteteve Turke dhe i deklaratës së përbashkët që do të pranojnë sot është se ata, si botë e madhe turke janë pranë Kazakistanit dhe e mbështesin plotësisht atë për rivendosjen e stabilitetit në vend.

"Si Turqi, që në fillim kemi qenë në kontakte me autoritetet kazake. Opinioni ynë publik i ka ndjekur zhvillimet nga afër dhe jemi shqetësuar si popull. Kemi ndjekur nga afër zhvillimet duke qenë në kontakt me presidentët e shteteve anëtare të organizatës dhe kryesisht me presidentin Tokayev. Po ashtu edhe si ministra të jashtëm kemi qëndruar në kontakt. Shumë organizata dhe personalitete të rëndësishme, kryesisht ministria jonë kanë bërë deklarata në mbështetje të Kazakistanit. E kemi detyrim të jemi pranë vëllezërve tanë në këto ditë të vështira. Edhe pas kësaj jemi pranë Kazakistanit me të gjitha mundësitë që posedojmë dhe jemi të gatshëm të mobilizojmë të gjitha mundësitë tona", tha Çavuşoğlu.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.