Drejtori i shkollës zbukuron muret e shkollës me pikturat e tij
Selami Eroğlan, drejtor i një shkolle në qytetin turk Siirt, në kohën e lirë pikturon muret e brendshme dhe të jashtme të shkollës

Siirt
Selami Eroğlan, i cili punon si drejtor i një shkolle në qytetin turk Siirt, i zbukuron muret e shkollës me pikturat e tij, raporton Anadolu.
Eroğlan, 49-vjeç, filloi të pikturojë në shkollën fillore, me udhëzimin e mësuesit të tij, i cili vuri re interesin dhe talentin e tij për pikturën, ndërkohë vazhdoi pikturën me dajën e tij që ishte piktor amator.
Duke zhvilluar talentin e tij duke realizuar vizatime me laps, ai vazhdoi punën e tij me piktura në shkolla ku u emërua mësues pas shkollimit universitar.
Eroğlan, i cili prej dy vitesh shërben si drejtor i një shkolle fillore, në kohën e lirë pikturon muret e brendshme dhe të jashtme të shkollës.
"Unë përpiqem të mbjellë dashurinë për artin tek fëmijët"
Selami Eroğlan për Anadolu tha se pasioni i tij për pikturën ka nisur që në moshë të vogël dhe se ai dhe vëllai i tij kanë pikturuar së bashku me dajën e tyre, i cili ishte piktor amator në Siirt.
Eroğlan theksoi se ka punuar shumë për t'u përmirësuar në këtë fushë dhe se ka vizatuar në muret e shkollave ku ka punuar për të rritur interesin për pikturën te nxënësit e tij.
"Fillimisht e fillova punën time duke zbukuruar muret e shkollës ku punoja. Më pas vazhdova këtë punë edhe në muret e korridorit dhe në pjesën e jashtme të shkollës. Në familjen time, daja dhe vëllezërit kanë talent për pikturë", tha Eroğlan.
Drejtori Eroğlan theksoi se ka vërejtur që nxënësit janë shumë të kënaqur me pikturat që kishte bërë dhe se ata vijnë në shkollë më me dëshirë dhe gëzim. "Përpiqem të mbjellë tek fëmijët dashurinë për artin", tha ai.
"Po përpiqemi të nxjerrim në pah piktura që rrisin gëzimin e fëmijëve"
Eroğlan tha se ai i bënte këto piktura në çdo shkollë ku punonte dhe se në punimet e tij në përgjithësi preferonte pikturat me vaj.
Ai u shpreh se qëllimi i tij është të rrisë interesin e nxënësve për pikturën dhe të zhvillojë dashurinë e tyre për pikturën. "Unë organizoj aktivitete të bukura pikture në çdo shkollë ku punoj. Ne përpiqemi të nxjerrim në pah pikturat që mbështesin arsimin dhe rrisin gëzimin e jetës së fëmijëve", tha Eroğlan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.