Duygu Yener
19 dhjetor 2017•Përditësim: 19 dhjetor 2017
ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, ku përveç marrëdhënieve dypalëshe është diskutuar edhe mbi zhvillimet e fundit për çështjen e Kudsit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet presidenciale, Erdoğan dhe May zhvilluan bisedë telefonike.
Gjatë kësaj bisede të dy liderët kanë thënë se janë të kënaqur për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga industria e mbrojtjes.
Duke theksuar se është shqetësuese për rajonin rritja e tensioneve me inicimin e SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, gjatë bisedës presidenti Erdoğan dhe kryeministrja May kanë potencuar se edhe qeveria e Izraelit duhet ta kuptojë që rruga më racionale për procesin e paqes është zgjidhja me dy shtete.
Në bisedë është diskutuar edhe për vënien e vetos nga SHBA-ja në votimin e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për projekt-rezolutën e përgatitur kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit.
Të dy liderët vënë në dukje nevojën për të qëndruar larg tensioneve të reja të cilat mund të fusin në rrezik procesin e paqes në rajon dhe për të dhënë përpjekje intensive komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit.
Në bisedë është rënë dakord për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Britanisë së Madhe.