Erdoğan kallëzim penal kundër liderit të ekstremit të djathtë të Holandës, Wilders
Në kallëzimin e parashtruar thuhet se vepra penale "fyerje ndaj presidentit", sipas ligjeve, mund të cilësohet në kuadër të veprave penale kundër shtetit
Ankara
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paraqitur kallëzim penal kundër politikanit holandez të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, për shkak të postimeve fyese në median sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kallëzimi penal është ngritur në Prokurorinë Publike të Ankarasë nga avokati i presidentit të Turqisë, Hüseyin Aydın, me akuzën "fyerje ndaj presidentit", ndërsa në të theksohet se Wilders ka kryer veprën penale "fyerje" me postimet që në shënjestër kishin liderin turk Erdoğan.
Në kallëzimin e paraqitur po ashtu thuhet se në këtë rast vlejnë ligjet e Turqisë, pasi, sipas ligjit relevant, vepra penale është kryer ndaj presidentit të këtij vendi.
Po ashtu theksohet se vepra penale "fyerje ndaj presidentit", sipas ligjeve, mund të cilësohet në kuadër të veprave penale kundër shtetit.
Ndryshe, të dielën, Erdoğan e quajti "fashist" udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Wilders, i njohur për qëndrimin e tij antiislam dhe të djathtë ekstrem, pasi publikoi një karikaturë fyese të presidentit turk që u dënua nga zyrtarët turq, përfshirë ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.
"Fashizmi nuk është në librin tonë, është në librin tënd. Drejtësia shoqërore është në librin tonë", tha Erdoğan në një takim të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Malatya.