Turqia

Erdoğan: Po bëjmë çmos për të shëruar plagët në Bosnjë e Hercegovinë pas përmbytjeve shkatërruese

"Me lejen e Zotit, ne nuk do t'i lëmë vetëm vëllezërit dhe motrat tona, ashtu siç edhe kemi vepruar deri më tani", theksoi presidenti turk

Muhammed Yasin Güngör  | 09.10.2024 - Përdıtësım : 10.10.2024
Erdoğan: Po bëjmë çmos për të shëruar plagët në Bosnjë e Hercegovinë pas përmbytjeve shkatërruese

Istanbul

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u zotua se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Bosnjë e Hercegovinën pas përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën vendin javën e kaluar, raporton Anadolu.

"Ne kemi bërë dhe po bëjmë çmos për të shëruar plagët e vëllezërve dhe motrave tona (në Bosnjë e Hercegovinë), shtëpitë e të cilëve u shkatërruan, të cilët humbën të afërmit e tyre dhe që pësuan dëme financiare", tha Erdoğan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij AK në Ankara.

"Me lejen e Zotit, ne nuk do t'i lëmë vetëm vëllezërit dhe motrat tona, ashtu siç edhe kemi vepruar deri më tani", theksoi presidenti turk, duke shtuar: "Ne do të vazhdojmë të kujdesemi më së miri për amanetin që na ka lënë i ndjeri Alija Izetbegoviq, duke na mbajtur dorën në spital para se të jepte frymën e fundit".

Gjatë javës së kaluar përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje të dheut goditën zonat e Jabllanicës, Konjicës, Kiseljakut, Fojnicës dhe qyteteve të tjera, duke marrë të paktën 21 jetë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkaq, dhjetëra persona po ashtu rezultojnë të zhdukur.

Türkiye, nëpërmjet institucioneve të ndryshme, ka ofruar ndihmë për të prekurit dhe në operacionet e shpëtimit që në ditët e para.

Të hënën, ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, së bashku me një delegacion shoqërues, vizitoi zonën e goditur nga përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë, ku gjithashtu u zotua për vazhdimin e mbështetjes së Ankarasë për vendin.

- "Izraeli është organizatë terroriste sioniste"

Lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku Izraeli po i vazhdon sulmet brutale në Rripin e Gazës dhe në Liban, Erdoğan tha se "historia nuk do t'i falë kurrë ata që duartrokasin një përbindësh që në duart e tij ka gjakun e dhjetëra mijëra fëmijëve, grave dhe civilëve", duke iu referuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

"Izraeli është organizatë terroriste sioniste", theksoi presidenti turk.

"E them hapur dhe qartë. Destinacioni i iluzionit të tokës së premtuar do të jetë zhgënjim dhe disfatë e madhe", shtoi ai.

Erdoğan më tej tha se duke marrë parasysh atmosferën në rajon, "besojmë se duhet të flasim më shumë, të arrijmë konsensus dhe të zgjerojmë bazën e dialogut".

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas tetorin e vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Gjatë sulmeve, ushtria izraelite ka vrarë mbi 42 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur dhjetëra mijëra të tjerë.

Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e Rripit të Gazës, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza.

Tel Avivi ka ndërmarrë po ashtu sulme masive ajrore në gjithë Libanin kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 1.250 njerëz, duke plagosur mbi 3.600 të tjerë dhe duke zhvendosur mbi 1.2 milion njerëz.

Ndërkaq, që nga tetori i vitit të kaluar, në Liban janë vrarë mbi 2.100 persona, përfshirë mbi 100 fëmijë dhe afro 200 gra.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın