Fahri Aksüt
16 shtator 2020•Përditësim: 16 shtator 2020
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan i ka dërguar një mesazh urimi kryeministrit të ri të Japonisë, Yoshihide Suga, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke njoftoi se presidenti Erdoğan i dërgoi urimet më të mira kryeministrit Suga, i cili është udhëheqës i Partisë Liberale Demokratike në pushtet.
Suga zëvendëson kryeministrin Shinzo Abe, i cili dha dorëheqje për shkaqe shëndetësore.
Duke theksuar se marrëdhëniet diplomatike turko-japoneze u lartësuan nga pasojat e fundosjes së anijes së fregatës Ertuğrul, tragjedi e ndodhur më 16 shtator të vitit 1890, pas përpjekjeve të shpëtimit të Japonisë dhe mikpritjes që ajo tregoi për të mbijetuarit, Erdoğan tha se data e zgjedhjes së Suga-s është domethënëse për lidhjet dypalëshe.
Ai tha se shpreson të çojë përpara "miqësinë e rrënjosur" bazuar në një partneritet strategjik të vendosur në vitin 2013.
Presidenti vlerësoi kontributet e Japonisë në paqen dhe stabilitetin global.
Të dy kombet, tha presidenti turk, do të drejtojnë komunitetin ndërkombëtar me përpjekjet e tyre të sinqerta të përbashkëta dhe do të punojnë në bashkëpunim të ngushtë mbi çështjet bilaterale, rajonale dhe globale.
Fregata Ertuğrul
Kanë kaluar 130 vite që nga fundosja e fregatës Ertuğrul në Japoninë juglindore, një incident tronditës që konsiderohet si fillim i miqësisë turko-japoneze.
Në përgjigje të Princit Komatsu të Japonisë në Stamboll në tetor të vitit 1887, Ertuğrul u dërgua në Japoni në korrik të vitit 1889.
Duke mbajtur 609 marinarë, anija u largua nga Japonia më 15 shtator të vitit 1890, por u kap nga tajfuni që prekte Japoninë çdo vit.
Më 16 shtator, gjatë kthimit për në shtëpi anija u fundos në brigjet e prefekturës Wakayama, duke rezultuar në zhdukjen e 533 marinarëve dhe oficerëve turq, përfshirë admiralin osman, Ali Osman Pasha.
Megjithatë, përpjekjet e shpëtimit të Japonisë dhe mbështetja e treguar për të mbijetuarit vulosi lidhjet miqësore midis popujve të të dy vendeve.
Një monument për dëshmorët u ngrit në vitin 1891 në Kushimoto, ku ndodhi aksidenti. Trashëgimia tragjike mbahet gjallë në ceremonitë përkujtimore të mbajtura çdo vit në monument.