Mehmet Tosun
21 shkurt 2018•Përditësim: 22 shkurt 2018
ANKARA (AA) - Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, duke folur për përpjekjen e djeshme të grupeve terroriste pro-regjimit të Asadit për të hyrë në Afrin, tha se ndihma ndaj organizatës terroriste PYD/YPG do të konsiderohet akt terrorist dhe do t'i bëjë ndihmuesit e saj objektiv legjitim për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kalın sot në Ankara iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, kurse në fokus ishte përpjekja e djeshme e grupeve terroriste, besnike të regjimit sirian, për të hyrë në Afrin, të cilat u tërhoqën në rreth 10 kilometra pas zjarrit artilerik të forcave turke si shenjë paralajmërimi.
"A do të mund ta bëjnë sërish një gjë të tillë? Është e mundur. Megjithatë, lidhur me këtë janë marrë masa. Çdo hap që do të hedhet në mbështetje të organizatës terroriste PYD/YPG atje do thotë radhitje në anën e njëjtë me organizatat terroriste dhe se ata do të jenë objektiv legjitim për ne", tha Kalın.
Ai theksoi se Turqia është duke bërë gjënë e nevojshme për interesat e saj kombëtare me operacionin në Afrin dhe se nuk i detyrohet shpjegim askujt.
"Përgjigjja jonë ndaj atyre që na thonë se operacioni në Afrin duhet të ndalet dhe gjëra të ngjashme, është se ne nuk i detyrohemi shpjegim askujt. Republika e Turqisë është duke bërë të duhurën për interesat e saj kombëtare", tha Kalın.
Në pyetjen nëse Turqia ka kontakt me regjimin e Asadit, Kalın tha se Turqia nuk ka kontakte direkte dhe zyrtare me regjimin e Asadit.
"Turqia nuk ka kontakte zyrtare me regjimin e Damaskut, duke shtuar se megjithatë, inteligjenca turke mund të krijojë kontakt nëse kërkohet në kushte të jashtëzakonshme për të zgjidhur probleme të caktuara", porositi Kalın.