Kryediplomati turk: Takimi i zyrtarëve amerikanë me lidershipin e ri sirian “shumë domethënës”
“Mendoj se është shumë domethënëse. Para kësaj vizite, ne kemi parë vende të tjera evropiane dhe organizata ndërkombëtare që vizitojnë Damaskun dhe kontaktojnë administratën e re atje. Mendoj se është e rëndësishme”, tha Fidan
Istanbul
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se vizita e fundit e delegacionit amerikan në kryeqytetin sirian Damask, për t’u takuar me administratën e re të udhëhequr nga Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), është “shumë domethënëse”, duke përmendur se para vizitës së zyrtarëve amerikanë vendet evropiane dhe organizatat globale tashmë ishin takuar me administratën e re siriane, transmeton Anadolu.
“Mendoj se është shumë domethënëse. Para kësaj vizite, ne kemi parë vende të tjera evropiane dhe organizata ndërkombëtare që vizitojnë Damaskun dhe kontaktojnë administratën e re atje. Mendoj se është e rëndësishme”, tha Fidan në një intervistë për kanalin ‘France 24’ në kryeqytetin Ankara.
Shefi i diplomacisë turke gjithashtu tha se ai planifikon të vizitojë Damaskun dhe të takohet me administratën e re atje.
I pyetur pse HTS-ja është ende në listën e organizatave terroriste të Türkiyes, Fidan tha se ajo është në listë për shkak të cilësimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) si organizatë terroriste.
“Ne i vendosëm në listë për shkak të listës së OKB-së, sepse respektojmë vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra, tani kemi një situatë unike ku ligjshmëria dhe praktika po kundërshtojnë njëra-tjetrën këtu”, tha ai.
Duke theksuar se HTS-ja nuk është vërejtur si e përfshirë në asnjë aktivitet terrorist në dhjetë vitet e fundit, Fidan tha se kjo është një pikë që është identifikuar jo vetëm nga Türkiye, por edhe nga agjencitë e inteligjencës perëndimore.
Fidan tha se HTS-ja ka pasur bashkëpunim të mirë me Türkiyen, veçanërisht në shkëmbimin e inteligjencës në luftën kundër DEASH-it dhe se ata kanë qenë shumë të dobishëm.
Më tej, ai tha se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, këtë gjë nuk e kanë bërë publike në atë kohë.
“Gjatë viteve, ata bashkëpunuan me ne duke siguruar inteligjencën mbi DEASH-in dhe organizatat e lidhura me Al Kaedën”, tha Fidan.
Ai theksoi se HTS-ja gjithashtu ka bashkëpunuar me Türkiyen edhe për “objektiva të nivelit të lartë”, siç është ish-udhëheqësi i DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi.
- Sirianët që kthehen në Siri
Fidan tha se Ankaraja po punon për të krijuar një mjedis ku sirianët mund të kthehen të sigurt në vendin e tyre.
“Ne po përpiqemi të punojmë shumë për të krijuar një mjedis në Siri ku refugjatët në Türkiye, si dhe në vende të tjera, të mund ta ndjejnë se vullnetarisht dhe të sigurt, ata mund të kthehen”, theksoi Fidan.
Ai tha se sigurisht që mund të ketë një rritje të konsiderueshme të kthimeve në Siri në periudhën e ardhshme.
Për komentet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, mbi rënien e Bashar Asadit në Siri, Fidan tha: “Mendoj se ai po përpiqej të komplimentonte atë që kishte ndodhur. Por ne nuk mund ta karakterizojmë atë që ndodhi në Siri si një marrje kontrolli nga Türkiye, përkundrazi, nëse ka ndonjë marrje kontrolli, është marrja e kontrollit nga vullneti i popullit sirian”.
- Bazat ushtarake të Rusisë në Siri
I pyetur nëse ka pasur ndonjë marrëveshje në lidhje me tërheqjen ruse dhe iraniane nga Siria pa asnjë të shtënë, Fidan tha se nuk do ta quante atë një marrëveshje.
Duke theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin, për shkak të viteve të tij në pushtet është transferuar “nga një administrator teknik në një mendimtar të mirë strategjik”, Fidan tha se Putin e dinë “çfarë është e rëndësishme, çfarë është më pak e rëndësishme, çfarë mund të investohet, çfarë është për t’u vazhduar, çfarë jo”.
Ai ka bërë llogaritë e tij dhe ka vendosur të mos vazhdojë përpara”, tha ai.
Megjithatë, Fidan tha se ai nuk mendon se Putini e ka braktisur Asadin, duke theksuar arratisjen e Asadit në kryeqytetin Moskë.
Lidhur me mbështetjen e Teheranit për Asadin, Fidan tha se Irani ka “rillogaritur të gjitha opsionet” dhe ka marrë një “qasje reale”.
“A duhet të largohen. Epo, do të varet nga populli sirian. Por tani, siç e shohim, rusët tani janë në procesin e ri-vendosjes së njësive të tyre dhe në fund të procesit, ne nuk e dimë se sa prej tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në Siri, në baza”, shtoi ai.
Duke theksuar faktin se SHBA-ja ka rritur praninë e saj ushtarake në Siri me pretekstin e “luftimit të DEASH-it, Fidan tha se “luftimi i DEASH-it” përdoret gjithmonë si “arsyetim”.
“Lufta kundër DEASH-it atje është vetëm për t’i mbajtur të burgosurit e DEASH-it në burg. Dhe, për fat të keq, miqtë tanë amerikanë dhe disa miq evropianë po përdorin një organizatë terroriste për t’i mbajtur terroristët e tjerë në burg”, tha Fidan.
Duke theksuar se ky nuk ishte vendimi i duhur, Fidan kërkoi nga SHBA-ja të arrijnë një mirëkuptim të ndërsjellë për çështje të tilla si mënyra se si do të mbahen të burgosurit e DEASH-it, si do të çmontohet PKK/YPG-ja dhe si do të sigurohen të drejtat themelore dhe siguria e kurdëve, arabëve dhe turkmenëve.
Në luftën e Türkiyes kundër organizatave terroriste PKK/YPG në verilindje të Sirisë, Fidan tha se YPG-ja është një grup terrorist i organizuar dhe krijuar artificialisht nga njerëz nga Türkiye, Iraku, Siria dhe disa nga Evropa.
“Mendoj se kjo organizatë terroriste artificiale duhet të shpërbëhet menjëherë. Para së gjithash, tani ka një administratë të re në Siri. Mendoj se ata duhet të kujdesen për biznesin e tyre, sepse ne po flasim për unitetin territorial, sovranitetin dhe integritetin e Sirisë”, tha ai.
Fidan gjithashtu tha se adresimi i kësaj çështje nga administrata e re në Siri është një nga rrugët që ata do të preferonin, duke shtuar se “kjo është mënyra e preferuar”.
“Dua të them, nëse nuk ndodh, ne duhet të mbrojmë sigurinë tonë kombëtare. Do të bëhet çfarëdo që është e nevojshme”, tha Fidan.
Duke theksuar se PKK/YPG-ja duhet të negociojë me Damaskun për të gjetur një zgjidhje, Fidan tha: “Sepse tani ka një administratë të re në Damask dhe YPG-ja, PKK-ja, nuk e kanë Rusinë, Iranin dhe aleancën e regjimit pas tyre. YPG-ja, PKK-ja, e dinë se çfarë duam ne. Ne nuk duam të shohim asnjë formë të kërcënimit ushtarak për veten tonë, jo atë aktual, por edhe atë të mundshëm”.
Lidhur me mundësinë e armëpushimit në Gaza, Fidan tha se të gjitha palët relevante me të cilat ai ka biseduar janë më optimiste dhe se edhe Türkiye po ashtu është më optimiste.
Duke theksuar se Izraeli dhe Hamasi po i afrohen një zgjidhjeje në Gaza në një “shkallë realiteti”, Fidan tha se ende nuk dihet se sa afër kësaj janë.
“Mjaft afër për të tejkaluar vërtetë hendekun në mënyrë që ata të arrijnë një armëpushim. Do ta shohim shumë shpejt”, shtoi ai.
Më tej, ministri turk tha se “Hamasi me të vërtetë po i afrohet”.
- Shqetësimi për një luftë Izrael-Iran
I pyetur nëse ai është i shqetësuar për një luftë midis Izraelit dhe Iranit, Fidan u përgjigj “shumë, shumë”.
Shefi i diplomacisë turke tha se për çfarëdo qoftë arsyeje një gjë e tillë mund të ndodhë dhe se kjo mundësi ekziston.
“E vetmja gjë që di është se iranianët nuk e duan një luftë të tillë. Ata dëshirojnë të shmangin çdo konfrontim të madh. Ky është, ju e dini, një informacion i drejtpërdrejtë që kam pasur nga miqtë tanë iranianë si rezultat i takimeve të mia me ta”, tha Fidan.