Turqia, Politikë, BALLKANI

Kryeparlamentari turk: Türkiye synon zhvillimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e Ballkanit, pa bërë dallim mes tyre

Kurtulmuş iu drejtua mysafirëve në pritjen solemne të organizuar në Shkup me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut

Shpetim Hiseni  | 21.12.2024 - Përdıtësım : 21.12.2024
Kryeparlamentari turk: Türkiye synon zhvillimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e Ballkanit, pa bërë dallim mes tyre Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se Türkiye synon zhvillimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e Ballkanit, pa bërë asnjë dallim midis tyre, raporton Anadolu.

Kurtulmuş iu drejtua mysafirëve në pritjen solemne të organizuar në Shkup me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, të organizuar nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB) në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në fjalën e tij, kryeparlamentari turk tha se festimi i Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut dhe pranimi i saj si një festë për komunitetin turk në vend meriton çdo vlerësim, duke shprehur urimet e tij me rastin e kësaj dite.

Ai foli për rëndësinë e gjuhës turke përtej të qenët një mjet komunikimi, duke thënë se ajo është rrëfimi i një kulture që është grumbulluar prej shekujsh.

“Njeriu, sa më shumë të flasë nga zemra, sa më shumë të mund ta orientojë gjuhën nga zemra, në botë do të dominojë më shumë paqja dhe toleranca midis njerëzve”, tha Kurtulmuş.

Për këtë arsye, tha ai, festa e gjuhës turke nuk duhet trajtuar vetëm si festë gjuhë, por edhe si festë zemre, kulture dhe civilizimi, posaçërisht në këto kohë kur njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë të bashkëjetojnë në paqe.

Ai përmendi rëndësinë e bashkëjetesës midis popujve dhe feve të ndryshme në rajonin e Ballkanit, duke thënë se një gjë e tillë, bashkëjetesa në paqe, ka ekzistuar gjatë periudhës osmane për shekuj.

Kurtulmuş deklaroi se institucionet turke në vend kanë luajtur rol të rëndësishëm në diplomacinë kulturore, vendosjen e urave midis popujve të dy vendeve.

Ai tha se Türkiye ka mbështetur Maqedoninë e Veriut që nga shpallja e pavarësisë së saj.

“Edhe në periudhën në vijim, Türkiye dhe Maqedonia e Veriut, si dy shtete të rajonit, punojnë së bashku për garantimin e stabilitetit në Ballkan”, tha kryeparlamentari turk, duke shtuar se tani nuk është koha të flitet për dallimet midis popujve, por të arrihet siguria dhe stabiliteti dhe të ecet së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta në bashkëpunim dhe solidaritet.

“Türkiye, pa bërë asnjë dallim midis vendeve të Ballkanit, synon zhvillimin e marrëdhënieve me të gjitha, merr iniciativa në këtë drejtim dhe besojmë që zgjidhja e mosmarrëveshjeve aktuale në rajon me dialog dhe miratim reciprok është rruga më e duhur”, theksoi ai.

Kryetari i parlamentit turk foli edhe për zhvillimet në Siri, duke përsëritur se Türkiye dëshiron që në këtë vend të shohë ndërtimin e një procesi demokratik në stabilitet dhe siguri, ku të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, do të jetojnë së bashku.

Po ashtu, tha ai, “përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë, që po vazhdon prej rreth tri vitesh dhe në të cilën kanë vdekur dhjetëra mijëra njerëz, është një nga pritjet themelore” të Türkiyes.

Kurtulmuş i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtarë që të vihet në lëvizje për të ndalur gjenocidin izraelit në Gaza, duke shtuar se është kusht që Izraeli të ndalet dhe që në Palestinë të fillojë një periudhë e re ku do të ketë siguri dhe stabilitet.

Në program të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, deputetë, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, politikanë dhe të mysafirë të tjerë.

Ndryshe, Kurtulmuş arriti sot në Shkup për një vizitë treditore së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputeti i AK Partisë Kayhan Türkmenoğlu, deputeti i AK Partisë Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup Fatih Ulusoy.

Në kuadër të vizitës së tij, kryeparlamentari turk do t’u adresohet studentëve në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup dhe Universitetin e Tetovës. Ai po ashtu do të vizitojë monumente historike, si dhe do të ketë takime me liderët e partive politike turke.

Kurtulmuş gjithashtu do të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në Shkollën Maarif në Tetovë me rastin e 21 Dhjetorit.

Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut sot shënon Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore "Tefeyyüz" në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.