Kurtulmuş në Forumin "Cihannüma Istanbul": Ata që posedojnë njohuri do të drejtojnë rendin e ri botëror
Forumi do të zgjasë deri më 15 dhjetor, ndërsa në panele të shumta do të marrin pjesë profesorë, mendimtarë dhe aktivistë të dalluar
Istanbul
Forumi "Cihannüma Istanbul 2024" filloi sot në metropolin turk në organizimin e Shoqatës së Solidaritetit dhe Bashkëpunimit "Cihannüma", raporton Anadolu.
Kryetari i Shoqatës së Solidaritetit dhe Bashkëpunimit "Cihannüma", Riza Yorulmaz, në fjalën e tij në hapje të takimit, tha se Izraeli po kryen gjenocid ndaj palestinezëve të pafajshëm në Gaza tashmë 433 ditë.
Ai theksoi se në botë ka një krizë civilizimi dhe se njerëzimi, i cili, sipas tij, është nën kontrollin e imperializmit racist dhe qytetërimit perëndimor për gati dy shekuj, po shkon drejt kaosit.
"Perëndimi, i cili fitoi fuqi financiare, pushtoi të gjitha vendet e shtypura, veçanërisht vendet islame. Pushtuesit i bënë vendet e tjera të varura prej tyre dhe vendosën një rend global skllevër përmes kolaboracionistëve dhe sundimtarëve kukull dhe truqeve të ndryshme sunduese", tha Yorulmaz.
Ai tha se katastrofat si luftërat, gjenocidi, tregtia e skllevërve dhe kolonializmi që zgjatën për vite të tëra ende jetojnë në kujtesën e njerëzimit. Yorulmaz kujtoi se vetëm në shekullin e 20-të, rreth 200 milionë njerëz humbën jetën në luftërat e nisura nga Perëndimi.
Në fjalën e tij, ai kujtoi fjalët e Alija Izetbegoviqit, presidentit të parë të shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Bosnjë e Hercegovinës, për "fytyrën e vërtetë të Perëndimit".
"Shembulli i fundit dhe më i dhimbshëm i Perëndimit që zbulon fytyrën e tij të vërtetë është Gaza", tha Yorulmaz. Ai shtoi se Izraeli ka vrarë njerëz të pafajshëm në Gaza me mbështetjen dhe inkurajimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
"Për fat të keq, asnjë shtet apo organizatë ndërkombëtare nuk e parandalon apo mund ta parandalojë këtë", tha ai.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, i cili tha se aktorët me njohuri, vullnet dhe propozime për rendin global do të udhëheqin rendin e ri botëror.
"Ne nuk e dimë se si do të zhvillohet bota, por ka një gjë që është shumë e qartë. Që tani e tutje, nuk do të ketë as një botë bipolare dhe as një rajon unipolar. Ne do të jemi dëshmitarë të krijimit të një bote të re multipolare, në fakt multicentrike. Do të shohim, ose më saktë e shohim tashmë, se disa vende janë bërë jashtëzakonisht të rëndësishme për botën brenda këtij multipolariteti. E them këtë pa asnjë ekzagjerim, njëra prej tyre është Türkiye", tha Kurtulmuş.
Më pas ai theksoi se luftërat, migrimet globale dhe varfëria nuk janë diçka që mund të zgjidhen vetëm me masa politike, por siç tha ai, zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon qasje të bazuar në humanizëm dhe ndërgjegje.
Forumi do të zgjasë deri më 15 dhjetor, ndërsa në panele të shumta do të marrin pjesë profesorë, mendimtarë dhe aktivistë të dalluar.
Agjencia Anadolu është partneri global i komunikimit i forumit.