İlhan Toprak
28 Prill 2016•Përditësim: 28 Prill 2016
DOHA (AA) – Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu, mori pjesë në Forumin e Biznesit Turqi-Katar që u organizua në Hotelin Marriott nga ana e Organizatës për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e mbajtur në këtë forum, Davutoğlu u shpreh se “Ka shtete të tilla që marrëdhëniet dypalëshe i kanë rutinë dhe në gjendje statike me vizita interesi të kohëpaskohshme. Ka shtete marrëdhëniet e të cilave zhvillohen e dobësohen. Dhe ka shtete të rralla të cilat marrëdhëniet dypalëshe i kanë gjithmonë të ngrohta, dinamike dhe gjithnjë me vizion. Turqia dhe Katari gjenden në mesin e këtyre shteteve të rralla.”
Duke theksuar se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Katarit në 10-12 vitet e fundit janë “të jashtëzakonshme”, kryeministri Davutoğlu më tej shtoi se “Në vitin 2005 për herë të parë e pata vizituar këtë vend të bukur në detyrën e kryekëshilltarit të kryeministrit të atëhershëm, tani president, Recep Tayyip Erdoğan, dhe marrëdhëniet tona sapo kishin filluar të lulëzonin. Ndërsa tani ndjehem i lumtur që për herë të parë e vizitoj këtë vend në detyrën e kryeministrit.”
Ndërkaq, ai gjithashtu tregoi se në detyrën e ministrit të punëve të jashtme e ka vizituar 15 herë Katarin, dhe çdo herë është pritur me ndjenja vëllazërore dhe ngrohtësi.
Ahmet Davutoğlu i vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet dypalëshe mes këtyre dy shteteve dhe shtoi se si biznesmenët nga Katari që do të mund lehtësisht të veprojnë në Turqi, ashtu edhe ata nga Turqia do të mund t’i zhvillojnë bizneset e tyre në Katar.
Sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, Davutoğlu shprehu bindjen e tij se ekziston një zell i madh dhe iu drejtua biznesmenëve duke u thënë se barra për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Turqisë dhe Katarit bie mbi ta.