Ministri turk Bak në shënimin e Ditës së Flamurit Shqiptar në Ankara: "Jemi dy vende me lidhje të forta historike"
“Türkiye dhe Shqipëria, partnerë strategjikë, janë dy vende të lidhura me lidhje të forta të bazuara në historinë dhe kulturën e përbashkët, me marrëdhënie diplomatike më shumë se 100-vjeçare”, tha ministri turk i Rinisë dhe Sporteve
Ankara
Ministri i Rinisë dhe i Sporteve i Türkiyes, Osman Aşkın Bak, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar në Ankara për shënimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, duke vënë theksin mbi marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, raporton Anadolu.
Në ngjarjen e organizuar në një hotel në Ankara, ministri Bak uroi popullin shqiptar me rastin e 112-vjetorit të pavarësisë.
“Türkiye dhe Shqipëria, partnerë strategjikë, janë dy vende të lidhura me lidhje të forta të bazuara në historinë dhe kulturën e përbashkët, me marrëdhënie diplomatike më shumë se 100-vjeçare. Shqipëria dhe populli shqiptar kanë vend të veçantë në zemrat e turqve. Türkiye dhe Shqipëria, në të njëjtën kohë, janë dy vende mike që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira”, tha Bak.
Bak deklaroi se shpallja e zisë kombëtare nga Shqipëria dhe dërgimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues në Türkiye vitin e kaluar konfirmoi edhe një herë miqësinë dhe solidaritetin.
“Bashkëpunimi ynë me zhvillim të shpejtë në kuadër të aleancës së NATO-s është kurorëzuar me krijimin e mekanizmit të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë në vitin 2021. Marrëdhëniet tona janë përforcuar së fundi me vizita të ndërsjella të nivelit të lartë. Takimi i dytë Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, i cili u mbajt në kuadër të vizitës së presidentit tonë (Erdoğan) në Tiranë më 10 tetor, përgatiti një bazament të rëndësishëm për avancimin e mëtejshëm lidhjeve tona”, tha Bak.
“Tri dokumente të nënshkruara në kuadër të vizitës në fushën e bujqësisë, arsimit dhe komunikimit, do të forcojnë bashkëpunimin tonë në këto fusha. Deklarata e përbashkët e nënshkruar nga presidenti ynë dhe kryeministri z. Edi Rama në kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, do të thellojë partneritetin strategjik që kemi krijuar me Shqipërinë në vitin 2021”, shtoi ai.
Ministri turk po ashtu përmendi hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e cila u ndërtua me kontribute të Türkiyes, ku morën pjesë liderët e dy vendeve.
“Shpresoj që hapja e Xhamisë së Namazgjasë, xhamia më e madhe në Ballkan, do të jetë e dobishme për komunitetin mysliman në Ballkan. Ne ndjekim nga afër zhvillimet në Shqipërinë mike, me të cilën kemi lidhje të rrënjosura historike, miqësore dhe njerëzore. Jemi të lumtur nga progresi i Shqipërisë në shumë fusha, si tregtia, investimet, ushtria, arsimi dhe kultura”, shtoi Bak.
- “Dëshirojmë të rrisim vëllimin e tregtisë dypalëshe në 2 miliardë dollarë”
Ministri turk Bak shprehu synimin për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, duke shtuar:
“Ne dëshirojmë që në të ardhmen e afërt të rrisim vëllimin e tregtisë dypalëshe në 2 miliardë dollarë dhe po vazhdojmë punën tonë në këtë drejtim. Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të marrë një vrull të mëtejshëm me mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ekonomik, i cili do të mbahet në të ardhmen nën bashkëkryesimin tonë me ministrin shqiptar të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si një nismë rajonale. Shqipëria, me të cilën ne bashkëpunojmë në mënyrë aktive në platforma të ndryshme, vazhdon të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Prosperitetin dhe stabilitetin e Shqipërisë ne i shohim si prosperiteti dhe stabiliteti ynë”.
Duke theksuar se Türkiye do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë mike dhe aleate me të gjitha institucionet, siç ka bërë deri më tani, ministri Bak tha: “Ne do të vazhdojmë të forcojmë zhvillimin fizik, shpirtëror dhe social të të rinjve në Shqipëri dhe Türkiye duke avancuar punimet në fushën e rinisë dhe të sportit. Shpresoj që çdo hap që hedhim në këtë rrugë të sjellë mirësi për të gjithë të rinjtë tanë. Edhe një herë uroj me gjithë zemër gjithë popullin shqiptar”.
Në pritje morën pjesë shumë të ftuar nga Türkiye dhe Shqipëria.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.