Merve Yıldızalp Yormaz
02 shtator 2026•Përditësim: 02 shtator 2026
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe zonja e parë Emine Erdogan ndanë sot një video në rrjetet sociale duke shfaqur vizitën e tyre në Kirgistan, transmeton Anadolu.
Erdogan udhëtoi në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave të 6-të Botërore Nomadë dhe Samitit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Ai u shoqëruar nga bashkëshortja e tij Emine Erdogan.
Presidenti turk dhe zonja e parë morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Botërore të Nomadëve në Bishkek, të mbajtur si pjesë e festimeve të 35-vjetorit të pavarësisë së Kirgistanit.
Çifti u mirëprit në stadium nga presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov dhe bashkëshortja e tij Aigul Japarova. Gjatë paradës ceremoniale, Erdogan dhe zonja e parë i dhuruan duartrokitje në këmbë delegacionit të Turqisë në lojëra.
Erdogan mori pjesë gjithashtu në seancën e zgjeruar të Samitit të Këshillit të Krerëve të Shteteve të SCO-së në kompleksin "Yntymak Ordo" në Bishkek.
Duke iu drejtuar seancës, Erdogan tha: "Si Turqi, ne po marrim përgjegjësinë për zgjidhjen e konflikteve që ndodhin rreth nesh përmes dialogut dhe diplomacisë dhe vazhdojmë të punojmë për paqen, qetësinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në mbarë botën".
- Emine Erdogan u takua me bashkëshortet e liderëve
Emine Erdogan mori pjesë gjithashtu në një program për bashkëshortet e udhëheqësve të organizuar nga Aigul Japarova në Rezidencën Shtetërore "Ala Archa Enesai".
Si pjesë e programit, bashkëshortet shëtitën nëpër mjediset e rezidencës dhe ndoqën një koncert në një yurtë (çadër) tradicionale kirgize.
Bashkëshortet pozuan për një foto familjare përpara se të vizitonin një ekspozitë me artizanat tradicionale kirgize.
Në një postim të përbashkët në rrjetet sociale, Erdogan dhe Emine Erdogan thanë: "Shpresoj që marrëdhëniet tona të rrënjosura me Kirgistanin të vazhdojnë të forcohen në bazë të miqësisë dhe vëllazërisë".