Turqia

Türkiye: Mizoritë izraelite duhet të ndalen për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës në gjithë rajonin

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë menjëherë mizoritë izraelite për të sjellë paqen në rajon

Zehra Nur Düz, Faruk Zorlu, Esra Tekin  | 25.07.2024 - Përdıtësım : 25.07.2024
Türkiye: Mizoritë izraelite duhet të ndalen për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës në gjithë rajonin

Ankara

Türkiye sot i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë menjëherë mizoritë izraelite në mënyrë që të sillet paqe në rajon, transmeton Anadolu.

“Veprimet e Izraelit duhet të ndërpriten menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës në gjithë rajonin”, thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Türkiyes.

Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.

Afro 39.200 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 90.400 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha gjithashtu se pastrimi i territoreve siriane nga terrorizmi separatist do të sigurojë kryesisht interesat dhe mbijetesën e Sirisë, duke iu referuar aktiviteteve të grupit terrorist PKK/YPG.


- Çështja e Qipros, Ukraina, marrëdhëniet me vendet afrikane

Këshilli riafirmoi gjithashtu një zgjidhje me dy shtete për Qipron, duke mbrojtur barazinë sovrane për turqit qipriotë dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC).

“Operacioni i Paqes në Qipro i Türkiyes siguron 50 vjet paqe dhe siguri në ishull, duke afirmuar legjitimitetin e tij”, tha Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Qiproja ka qenë në një mosmarrëveshje prej dekadash midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike nga OKB-ja për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që nisën në fillim të viteve 1960 i detyruan turqit qipriotë të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shteti qipriot grek që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiyes si fuqi garantuese për të mbrojtur turqit qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, TRNC-ja u themelua në vitin 1983.

Në vitet e fundit ka pasur një proces paqësor pa ndërprerje, përfshirë një iniciativë të dështuar të vitit 2017 në Crans-Montana të Zvicrës nën kujdesin e vendeve garantuese, Türkiye, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Administrata greke qipriote u pranua në BE në vitin 2004, në të njëjtin vit që grekët qipriotë penguan një plan të OKB-së për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.

Türkiye mbështet plotësisht një zgjidhje me dy shtete në ishullin e Qipros bazuar në barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha: “Türkiye do t’i japë përparësi dialogut në rajonet e Egjeut dhe Mesdheut dhe nuk do të lejojë që qasja e saj konstruktive të keqpërdoret”.

Ajo gjithashtu kërkoi më shumë përpjekje shumëpalëshe për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, duke theksuar nevojën për të parandaluar përshkallëzimin ose përhapjen e mëtejshme të konfliktit.

Në takim u vlerësuan edhe marrëdhëniet e zhvilluara me një qasje afatgjatë ndërmjet Türkiyes dhe vendeve afrikane, veçanërisht Somalisë, Libisë, Sudanit dhe Nigerit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.