Türkiye thotë se janë përgatitur plane alternative për evakuimin e shtetasve të saj nga Libani
Ministria e Jashtme turke tha po ashtu se janë përcaktuar parimet për evakuimin e qytetarëve të vendeve të tjera përmes Türkiyes dhe se po vazhdojnë përgatitjet e nevojshme me afro 20 vende që kanë kërkuar mbështetje deri më tani
Ankara
Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes paralajmëroi se situata në Liban mund të përkeqësohet dhe tha se vendi ka përgatitur plane alternative për evakuimin e shtetasve turq që gjenden atje, transmeton Anadolu.
“Ekziston mundësia që situata e sigurisë në Liban të përkeqësohet. Në këtë drejtim, janë bërë plane për qytetarët tanë në Liban në koordinim me institucionet tona përkatëse dhe janë përgatitur plane alternative për evakuimin i qytetarëve tanë nga deti apo ajri”, tha ministria në një deklaratë.
Ajo shtoi se për realizimin e procesit është krijuar “Qendra e Koordinimit dhe e Mbështetjes e Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
Ministria porositi qytetarët turq në Liban që për çdo vendim evakuimi, të ndjekin njoftimet e saj dhe të Ambasadës në Bejrut.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se janë përcaktuar parimet për evakuimin e qytetarëve të vendeve të tjera përmes Türkiyes dhe se po vazhdojnë përgatitjet e nevojshme me afro 20 vende që kanë kërkuar mbështetje deri më tani.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.057 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.