Selman Tür,Çetin Doyar
15 Shtator 2018•Përditësim: 16 Shtator 2018
BATMAN (AA) - Në qytetin juglindor të Turqisë, Batman, është kapur një terrorist i cili në këtë qytet kishte planifikuar të kryejë sulm terrorist. Ai u kap në një automjet që e kishte ndalur me autostop, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç mëson gazetari i AA-së nga burime të sigurisë, ekipet e xhandarmërisë turke nisën një operacion pas një njoftimi se në territorin e Turqisë ilegalisht ka hyrë një terrorist, i cili në Batman planifikon të kryejë sulm terrorist ndaj zyrtarëve të lartë.
Pjesëtarët e xhandarmërisë ndaluan një automjet të dyshuar në rrugën drejt qendrës së Batmanit, në vendin Tulagoz. Për shkak të sjelljes së dyshimtë, xhandarmëria kontrolloi një person, tek i cili gjeti një revole dhe një granatë dore.
Më pas u konstatua se ai ishte pjesëtar i organizatës terroriste PKK, Sait Ilmi, me emrin e koduar "Rojhat", dhe se ai kishte planifikuar të kryejë sulm ndaj zyrtarëve të lartë në Batman.
Për "Rojhat" thuhet se ishte shumë i afërt i Duran Kalkanit, një nga emrat kryesorë të PKK-së. Procedura penale është në zhvillim e sipër.