Nilay Kar
10 Nëntor 2017•Përditësim: 10 Nëntor 2017
STAMBOLL (AA) - Më shumë se 100 të dyshuar të organizatës terroriste DEASH u arrestuan gjatë operacioneve antiterroriste në Turqi të premten, njoftoi policia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia e Stambollit arrestoi të paktën 82 shtetas të huaj gjatë një operacioni antiterrorist me dyshimin për lidhje me organizatën terroriste DEASH.
Bastisjet e njëkohshme u kryen në rajonet Bağcılar, Beykoz, Fatih, Küçükcekmece, Pendik, Sancaktepe dhe Şişli të Stambollit.
Të dyshuarit dyshohet se po planifikonin të kalonin në Siri për të luftuar për DEASH-in. Siç njofton Departamenti Policor i Stambollit, të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë.
Në një operacion tjetër të premten herët, policia arrestoi 11 sirianë për lidhje të dyshuara me DEASH-in në Adanë.
Policia gjithashtu konfiskoi një armë gjahu dhe 48 pako cigaresh të kontrabanduara gjatë bastisjes në disa adresa në qendër të qytetit të Adanës.
Nëntë të dyshuar të DEASH-it u arrestuan në provincën verilindore Trabzon, ndërsa shtatë të tjerë në provincën perëndimore Izmir.
Policia gjithashtu arrestoi tre të dyshuar të DEASH-it me origjinë irakiane në provincën veriore të Samsunit. Sipas një burimi policor, një shtetas i huaj tjetër është ndaluar në provincën perëndimore Eskişehir.
Përveç kësaj, Gjykata Penale në Sakarya pranoi padinë kundër figurës së lartë të DEASH-it, Halis Bayancuk, me emrin e koduar Ebu Hanzala, për të cilin ishte caktuar paraburgim muajin e kaluar së bashku me dhjetë të dyshuar të tjerë.
Nëse shpallet fajtor, Bayancuk do të përballet me dënime të rënda për "shkelje të kushtetutës" dhe mund të dënohet deri në 22 vjet burg me akuzën për "formim dhe udhëheqje të një organizate terroriste të armatosur".
Ndryshe, më shumë se 300 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të dhunshme të DEASH-it në Turqi, që përfshijnë bomba vetëvrasëse, sulme me raketa dhe armë.
Forcat turke të sigurisë janë përfshirë në një fushatë të gjatë për të penguar sulmet e DEASH-it.
Që nga gushti i vitit të kaluar, policia e Stambollit ka kryer të paktën 100 operacione dhe ka arrestuar rreth një mijë të dyshuar.