Turqi, punonjëset në kopshtet e agrumeve bëjnë figura gjigante nga frutat
Më 17-18 nëntor do të organizohet edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Agrumeve në Mersin, provincë e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj të agrumeve në Turqi dhe prodhuesi kryesor i limonit

Mersin
MERSIN (AA) - SEZGİN PANCAR
Punonjëset në kopshtet e agrumeve në provincën e Mersinit në jug të Turqisë kanë filluar të përgatisin figura nga frutat të cilat do të shfaqen në një festival ndërkombëtar të agrumeve që do të mbahet në këtë provincë, raporton Anadolu Agency (AA).
Më 17-18 nëntor do të organizohet edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Agrumeve në Mersin, provincë e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj të agrumeve në Turqi dhe prodhuesi kryesor i limonit.
Bujkeshat e portokajve, limonëve, mandarinave dhe qitrove kanë përgatitur figura interesante nga këto fruta për të pasuruar festivalin.
Helikopteri, automjeti, motoçikleta, anija, oktapodi dhe kështjella të ndërtuara nga frutat janë disa nga figurat gjigante që do të shfaqen në festival.
Zehra Tüfek (44), punonjëse në kopshtet e agrumeve e cila ka përgatitur figurën e oktapodit thotë se përpiqen të tregojnë se agrumet janë të dobishme për çdo gjë.
"Prej shtatë ditësh jemi duke bërë figura në kuadër të festivalit, i cili do të hapet më datë 17. Do të punojmë deri atëherë. Nuk është punë e lehtë, por e bëjmë me kënaqësi. Të ardhurat që i fitoj nga puna me agrume i përdor për fëmijët e mi dhe shpenzimet e shtëpisë", shprehet Tüfek.
Ndërkaq, Ayşe Ayhan (41), nënë e dy fëmijëve, thotë se një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në kopshte agrumesh.
"Punoj që nga mosha 17-vjeçe. Unë pres portokaj, limonë dhe pjeshka. Produktet që i presim deponohen. Më pas vijnë këtu dhe ne bëjmë forma për ta zbukuruar qytetin", thekson Ayhan.
Po ashtu, Hatice Tezel (48) thotë se me punën e saj në kopshtet e agrumeve mbulon shpenzimet për shkollimin e dy fëmijëve të saj. Ajo thekson se për herë të parë është duke i përdorur frutat për qëllime zbukurime, por shton se është mësuar për një kohë të shkurtër dhe nuk e ka pasur të vështirë.
Leyla Demir (38), nënë e tre fëmijëve, shprehet se bërjen e figurave e ka filluar pas rekomandimit që ka marrë nga një shoqe.
"Shpresoj që frytet e punës sonë t'i korrim së bashku me të gjithë qytetarët", thotë ajo.
Në festival pritet të marrin pjesë shumë të ftuar nga vendi dhe të huaj. Nga rreth 30 shtete do të marrin pjesë grupe që do të bëjnë shfaqje.
Festivali po ashtu do të përfshijë një shfaqje mode me temë agrumet, aktivitete ushqimore dhe sërfing.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.