Mehmet Kumcağız
21 Nëntor 2018•Përditësim: 21 Nëntor 2018
SAMSUN (AA) - Stomatologu nga Samsuni i Turqisë, Aytekin Turgut (72), afër tre dekada fluturon me avionin e vitit 1950, të cilin e rregulloi në tarracën e shtëpisë së tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Turgut në vitin 1989 mori patentën e pilotit dhe në të njëjtin vit nga Agjencia Turke e Aviacionit (THK) bleu një avion të modelit Piper PA të vitit 1950.
Ai e çmontoi fluturaken dhe me ndihmën e vinçit e vendosi në tarracën e shtëpisë trekatëshe. Pas tetë muajsh të punës me përkushtim, avioni përsëri kthehet në pamjen fillestare.
Pasi avioni u bë funksional, Turgut përsëri me ndihmën e vinçit e zbriti nga tarraca dhe e dërgoi në aeroportin e dikurshëm të Samsunit.
Më vonë avioni u dërgua pranë pistës së Shkollës së Lartë të Aviacionit Civil të Universitetit të Samsunit, kurse Turgut që atëherë shfrytëzon çdo rast për të fluturuar.
Ai njëherësh është edhe anëtar i Klubit të Aviacionit Sportiv në Samsun, kurse njohuritë e arritura dëshiron t'ua përcjell të rinjve.
Në një bisedë me Anadolu Agency (AA), ai sqaroi se dëshira e tij më e madhe është fluturimi dhe se për të bërë ëndrrën realitet bleu avionin.

"Si fëmijë kam ëndërruar të bëhem pilot. Dua të fluturoj. U bëra stomatolog dhe më pas doja të shfrytëzoja kohën e lirë dhe të bëj realitet ëndrrën e fëmijërisë", tha Turgut.
Ai shtoi se nuk kishte hapësirën e mjaftueshme për avionin që kishte blerë, për çka filloi ta riparonte në tarracën e shtëpisë. Aeroplani është rirregulluar plotësisht dhe është sjellë në gjendje operative. Për realizimin e ëndrrës e ndihmuan edhe kolegët e tij teknikë.
Ai më tej tha se askush nuk e besonte se kishte riparuar avionin në tarracë.
"Kur sapo e bleva, ishte në gjendje shumë të keqe dhe unë mora çdo pjesë në duart e mia. Mbështetja më e madhe ishte gruaja dhe fëmijët e mi, punuam së bashku, kur nuk kishim pacientë, vrapoja drejt shtëpisë për të riparuar avionin", tregon Turgut.
Ai shtoi se krahët ishin instaluar në aeroport, pas së cilës u realizua edhe fluturimi testues.
"Pas kësaj, fillova të fluturoja rregullisht, pavarësisht viteve, unë fluturoj pothuajse për 30 vite, kjo më bën të shëndetshëm", tha Turgut, i cili synon të fluturojë për aq kohë sa të mundet.
Ai gjithashtu admirimin për fluturim ia ka përcjellë fëmijëve të tij. Njëri djalë sot është pilot në një kompani ajrore private dhe djali tjetër hidhet me parashutë.