"Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e popullit turk qipriot"
"Turqia ashtu sikurse mbron të drejtat e veta të shelfit kontinental në Mesdheun Lindor, do të vazhdojë të mbrojë edhe të drejtat dhe interesat e popullit turk të Qipros", thuhet në deklaratën e MPJ të Turqisë

Ankara
Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë deklaroi se "Turqia ashtu sikurse mbron të drejtat e saj të shelfit kontinental në Mesdheun Lindor, do të vazhdojë të mbrojë edhe të drejtat dhe interesat e popullit turk të Qipros", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga MPJ thuhet se Turqia me anijen 'Fatih' në fillim të muajit maj ka nisur aktivitetet e shpimit në perëndim të ishullit të Qipros brenda fushës së lejeve të dhëna korporatës turke të Naftës (Turkish Petroleum Corporation) licencat në vitin 2009 dhe në vitin 2012 si dhe brenda shelfit kontinental që Turqia i ka deklaruar OKB-së.
Më tej bëhet e ditur se edhe anija e shpimit ‘Yavuz‘ është dërguar në Gadishullin Karpas e cila do të kryejë aktivitete të shpimit në emër të turqve qipriotë brenda lejes së dhënë nga Qiproja Turke në vitin 2011 ndaj Turkish Petroleum Corporation.
Duke iu referuar një interviste të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias është vënë theksi se "I shohim të çuditshme deklaratat në lidhje me aktivitetet që vendi ynë kryen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në Mesdheun Lindor".
"Titulli 'fëmija i llastuar i Evropës' i përket kryesisht Greqisë. Nga ana tjetër, fëmija i ‘prapë‘ i Evropës është administrata greke qipriote, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe e cila me Greqinë ka destabilizuar ndër vite Mesdheun Lindor. Fakti që administrata greko-qipriote është anëtare e BE-së duke bërë të ashtuquajturin përfaqësimin e të gjithë ishullit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk u jep atyre të drejtën të grabisin të drejtat dhe interesat legjitime të turqve qipriotë", thuhet në deklaratë.
"Ne kundërshtojmë deklaratat e MPJ-së greke dhe zyrtarëve të BE-së, të cilët i cilësojnë këto aktivitete të vendit tonë të paligjshme. Në këto deklarata, është një tregues se qipriotët turq, që janë bashkë-themelues të Republikës së Qipros, por të drejtat e të cilëve janë konfiskuar që nga viti 1963, nuk përmenden fare dhe trajtohen sikur në ishull nuk ka turq qipriotë", qëndron në deklaratën e MPJ-së turke.
Në vazhdim theksohet se "edhe BE-ja është bërë aktor i kësaj paligjshmërie duke u bërë partnere e kësaj loje që dyshja Qiproja Greke-Greqia po luan mbi të drejtat e turqve qipriotë që janë pronarë të barabartë të ishullit. Është bërë e qartë se BE-ja nuk mund të marrë rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në proceset negociuese për zgjidhjen e çështjes së Qipros".
"Turqia ashtu sikurse mbron të drejtat e veta të shelfit kontinental në Mesdheun Lindor, do të vazhdojë të mbrojë edhe të drejtat dhe interesat e popullit turk të Qipros përreth ishullit përsa kohë që pala greke qipriote nuk i përfshin turqit qipriotë në mekanizmat vendimmarrëse, përfshirë edhe ndarjen e të ardhurave në çështjen e burimeve të hidrokarbureve dhe përsa kohë që ata nuk garantojnë të drejtat e tyre", thuhet në deklaratë.
"Brenda kësaj kornize ne mbështesim plotësisht deklaratat e bëra nga autoritetet e Republikës Turke të Qipros Veriore, të cilat lëshojnë licencat që përbëjnë bazën ligjore dhe legjitime për operacionet e anijes së shpimit Yavuz", thuhet ndër të tjera në deklaratën e MPJ të Turqisë.