Ali Murat Alhas,Gökhan Ergöçün
13 Mars 2019•Përditësim: 13 Mars 2019
Zyrtarët turq kanë njoftuar se Turqia ka suspenduar fluturimet e avionëve Boeing 737 Max 8 dhe 9 si pjesë e “masave parandaluese”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një kumtesë të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë thuhet se të dyja modelet e avionëve u përfshinë në dy aksidente brenda pesë muajve të fundit dhe se zyrtarët turq janë duke shqyrtuar arsyet e mundshme që kanë shkaktuar aksidentet.
Në njoftim thuhet se suspendimi i avionëve do të vazhdojnë të jetë në fuqi deri në një njoftim tjetër.
Kompania ajrore Turkish Airlines ka njoftuar se ka ndaluar fluturimet e 12 avionëve të tipit Boeing 737 MAX.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Bilal Eksi, në rrjetet sociale ka bërë të ditur se avionët do të tërhiqen nga fluturimet komerciale që nga data 13 mars.
Ai ka thënë se Turkish Airlines është në koordinim për këtë çështje me kompaninë Boeing.
Të dielën, më 10 mars, një avion i tipit Boeing 737 Max 8 u rrëzua vetëm gjashtë minuta pas ngritjes nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Ababa, në drejtim të kryeqytetit të Kenias, Nairobi.
149 pasagjerë nga 35 vende dhe tetë anëtarë të personelit humbën jetë në rrëzimin e avionit.
Ky ishte rrëzimi i dytë vdekjeprurës i avionëve të tipit Boeing 737 MAX në më pak se pesë muaj.