Turqia

U shpëtua nga rrënojat pas 261 orësh, Mustafa Avcı për herë të parë puthi vajzën e lindur disa orë para tërmetit

Një natë para tërmetit, çifti Avcı ndodhej në një spital privat në Antakya të provincës Hatay, ku disa orë para tërmetit lindi vajza e tyre

Sezgin Pancar, Serkan Avci  | 18.02.2023 - Përdıtësım : 19.02.2023
U shpëtua nga rrënojat pas 261 orësh, Mustafa Avcı për herë të parë puthi vajzën e lindur disa orë para tërmetit Foto: Sezgin Pancar/AA

Mersin

Mustafa Avcı, i shpëtuar mbrëmë vonë nga rrënojat, për herë të parë puthi vajzën e cila lindi mbrëmjen para se të ndodhte tërmeti.

Anadolu filmoi momentin emocional kur mes lotëve të gëzimit, Bilge Avcı, bashkëshortja e Mustafasë, shtriu në gjoksin e bashkëshortit vajzën 12-ditëshe.

Një natë para tërmetit, çifti ndodhej në një spital privat në Antakya të provincës Hatay, ku pritej lindja e foshnjës së tyre. Lindja ndodhi në ora 23:50 më 5 shkurt sipas kohës lokale. Disa orë më vonë, goditi tërmeti i parë, gjatë të cilit mbeti nën rrënoja Mustafa Avcı.

Fatmirësisht, reparti i spitalit ku ndodhej Bilge Avcı bashkë me foshnjën e sapolindur, qëndroi pa u rrëzuar për një kohë, mjaftueshëm që ata të dalin të sigurt nga spitali.

Mbrëmë, 261 orë pas tërmetit shkatërrues, Mustafa Avcı u nxor i gjallë nga rrënojat në një shpëtim që cilësohet si mrekulli. Ai u transferua në një spital në qytetin Mersin, ku në vizitë i erdhën bashkëshortja Bilge dhe foshnja e tyre e lindur disa orë para tërmetit.

Duke menduar se familja e tij kishte vdekur, Mustafa Avcı për Anadolu tha se nuk kishte asnjë shpresë dhe madje nuk bëri asnjë përpjekje për të dalë i gjallë nga rrënojat.

I pyetur se si ndihet tani, Mustafa Avcı tha: “Është sikur kam lindur sërish”.

Bilge Avcı shprehet se ende nuk mund ta besojë që burri i saj është nxjerrë i gjallë nga rrënojat.

“Jam shumë e lumtur. Kishim humbur shpresat. Tani jemi në një pikë ku fjalët nuk mjaftojnë. Vajza ime ishte gjithmonë e buzëqeshur, sikur po thoshte 'Babai im do të vijë sot'", tha Bilge Avcı.

Sipas të dhënave të fundit, 39.672 njerëz kanë humbur jetën nga dy tërmete të forta që goditën Türkiye jugore.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të shkallës Rihter, me epiqendra në provincën turke Kahramanmaraş, goditën 11 provinca më 6 shkurt, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın