Turqia

Zyrtari i lartë turk bën thirrje për dialog me shtetet arabe

Turqia angazhohet për të promovuar paqen rajonale në çdo mundësi, thotë zv/ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Serdar Çam

Yunus Girgin  | 05.10.2020 - Përdıtësım : 06.10.2020
Zyrtari i lartë turk bën thirrje për dialog me shtetet arabe

Ankara

Zv/ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Serdar Çam, bëri thirrje sot për dialog me shtetet arabe, duke e quajtur atë mënyra më e mirë për të kapërcyer keqkuptimet, veçanërisht përballë akuzave të sajuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë me e-mail për të përditshme Akhbar al Balad me seli në Kuds, zv/ministiri Çam tha se dialogu është "pikërisht ajo që duhet të bëhet për paqe dhe prosperitet".

"Të gjithë duhet ta përqafojnë atë si mënyrën e vetme për zgjidhjen e problemeve. Megjithatë, drejtësia duhet të jetë çështja tjetër në sigurimin e marrëdhënieve të mira", theksoi ai.

Çam paralajmëroi se ka disa grupe dhe fuqi që përpiqen të bllokojnë kanalet e dialogut të Turqisë me botën, veçanërisht me fqinjët e saj.

"Këta elementë prodhojnë lajme të njëjta kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan, të cilat ju me siguri i keni parë ose lexuar shpesh viteve të fundit. Këto janë akuza të rreme, të trilluara dhe të pabaza". tha ai.

"Pothuajse të gjitha këto lajme dhe artikuj prodhohen në një qendër të vetme nga elementët e FETO-s dhe mbështetësit e tyre vendas dhe të huaj, si dhe disa nga grupe të tjera terroriste që përcaktojnë Turqinë si armikun e tyre, ndërsa disbursohen në vende të ndryshme në gjuhë të ndryshme përmes kanaleve mediatike të tyre apo të ndërlidhura me to", shtoi Çam.

FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik të vitit 2016, në të cilin 251 njerëz u martirizuan dhe gati 2.200 u plagosën.

Turqia akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Në intervistë, Çam gjithashtu kundërshtoi pretendimin e pabazë se qeveria turke ka qëllime "neo-osmane" të cilat përhapen nëpër të njëjtat kanale me mbështetje nga fuqitë që duan të dobësojnë manovrueshmërinë e Turqisë për të promovuar paqen dhe prosperitetin rajonal.

"Turqia është republikë, një republikë e re, por është krenare për historinë e saj, pasi kjo histori ndryshon ndjeshëm nga ato që janë plot me imperializëm, shkatërrim, lot dhe gjak", theksoi Çam.

“Ne duam që të gjitha vendet të na kuptojnë në mënyrë të drejtë dhe korrekte. Përpjekjet tona janë të drejtuara vetëm drejt mbështetjes dhe ruajtjes së paqes. Turqia është vendi më i vetëdijshëm që njerëzit e lirë dhe të prosperuar janë bazamenti i paqes rajonale. Prandaj, Turqia është në favor të bashkëpunimit rajonal përmes politikave të favorshme që do të përfshijnë të gjitha palët në rajon", shtoi ai.

Marrëveshja e "paqes" EBA-Izrael

Çam gjithashtu tha: "Asnjë iniciativë apo marrëveshje paqeje në rajon nuk është shqetësuese për ne, përkundrazi ne gjithmonë punojmë për të përmirësuar paqen rajonale. Në fakt kjo është ajo që kërkon Turqia, të shfrytëzohet çdo mundësi".

Mirëpo, ai tha se ka marrëveshje të maskuara si "të paqes" që nuk bëjnë asgjë për të promovuar paqen e mirëfilltë.

Duke kritikuar marrëveshjen e diskutueshme të normalizimit të kohëve të fundit midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, ai tha se ajo përjashton të drejtat dhe pritjet e Palestinës.

"Nëse shtetet janë të sinqerta në sjelljen e paqes në rajon, gjëja e parë është të veprojmë me ndershmëri", tha ai.

EBA dhe Izraeli më 13 gusht njoftuan një marrëveshje të diskutueshme për normalizimin e marrëdhënieve, që u kritikua gjerësisht nga grupet palestineze dhe vendet me shumicë muslimane si një tradhti ndaj kauzës palestineze.

"Unë mendoj se fjala 'paqe' këtu meriton vëmendje të veçantë: Ne për një kohë të gjatë kemi dëshmuar qarkullimin e shpejtë të fjalës 'paqe' në rajonin tonë, por fatkeqësisht ajo ka filluar të humb kuptimin dhe vlerën e saj, pasi që ka shembuj të shumtë të këqij të kontradiktës midis retorikës dhe asaj që po ndodh realisht në terren", theksoi Çam.

“Turqia ka qenë gjithmonë serioze dhe e sinqertë në ndjekjen e paqes me të gjitha vendet dhe paralajmëroi të gjitha palët për rezultatet e tmerrshme të një kontradikte të tillë. Emërimi i dokumenteve si 'marrëveshje paqësore' është e pakuptimtë nëse ato nuk i ndalin vërtet konfliktet në terren”, shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın