Kosovë, 16 të arrestuar në operacionin policor në disa lokacione
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë realizuar operacion policor në 21 lokacione të ndryshme të cilat kanë rezultuar me 16 persona të arrestuar dhe armë të sekuestruara

Prishtinë
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë realizuar operacion policor në 21 lokacione të ndryshme të cilat kanë rezultuar me 16 persona të arrestuar dhe armë të sekuestruara, transmeton Anadolu.
Në komunikatën e përbashkët për media të Policisë dhe Prokurorisë, bëhet e ditur se pas hetimeve disa mujore, është bërë realizimi i urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë të jugut, Mitrovicë të veriut, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.
"Nga ky operacion policor janë shoqëruar në polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale 'detyrim' si dhe 'importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse'", thuhet në njoftim.
Policia thotë se si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.
Pas intervistimit lidhur me këtë rast, me vendim të prokurorit, 13 persona kanë shkuar në ndalim prej 48 orësh.