arsim

Në Shqipëri fillon viti i ri akademik

Sipas Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, janë 22.200 studentë që ulen për herë të parë në auditorë, në të gjitha universitetet e vendit

Fatjon Cuka  | 16.10.2017 - Përdıtësım : 17.10.2017
Në Shqipëri fillon viti i ri akademik Fotoreporter: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Sot në Shqipëri ka filluar viti i ri akademik 2017-2018, ku drejtues të lartë të vendit kanë vizituar disa nga universitetet në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, në kuadër të nisjes së vitit të ri akademik zhvilloi një vizitë në Universitetin e Mjekësisë, e cila gjatë fjalës së saj përshëndetëse në aktivitetin e organizuar në këtë universit, tha se të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend kanë përmbyllur me sukses akreditimin institucional.

"Zgjodha të jem pranë Universitetit të Mjekësisë për të iu uruar të gjithë studentëve dhe të gjithë pedagogëve, një fillim të suksesshëm të vitit të ri akademik, në përmbushje të të gjithë objektivave. Kam zgjedhur të jem këtu sepse besoj në bazat që është ngritur ky institucion. Duhet të jemi gjithë bashkë krenarë, për brezat që në dekada kanë marrë mësim pranë këtij institucioni, për hulumtuesit që kanë hedhur hapat e parë në këtë institucion apo pa dyshim për shumë e shumë akademikë të cilët kanë mundësuar formimin e stafeve mjekësore që me përkushtim janë kujdesur për ne të gjithë", u shpreh Nikolla.

Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama, vizitoi Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku gjatë ceremonisë së fillimit akademik theksoi se ky universitet i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një bazë prodhuese dhe të "gjithë potencialet që të bëhet konsulenti më i rëndësishëm strategjik i qeverisë."

Sipas Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, janë 22.200 studentë që ulen për herë të parë në auditorë, në të gjitha universitetet e vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın