Shqipëri, fillon viti i ri shkollor
Procesi mësimor ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e vendit, ndërkohë sipas autoriteteve shqiptare rreth 29 mijë nxënës ulen në banka për herë të parë
Tiranë
Në Shqipëri ka filluar viti i ri shkollor 2023-2024 në institucionet e arsimit parauniversitar, në sistemin e arsimit publik dhe privat, raporton Anadolu.
Procesi mësimor ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e vendit, ndërkohë sipas autoriteteve shqiptare rreth 29 mijë nxënës ulen në banka për herë të parë.
Ndërkohë, procesi mësimor ka filluar edhe në shkollat që administron Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.
Mesazhe urimi nga zyrtarët e lartë
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor zyrtarët e lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
"Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë. Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes", shkruan Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në rrjetet sociale.
Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë mesazhin e tij në rrjetet sociale me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor
"Sot, kur dyert e shkollës janë çelur dhe një rrugëtim i ri i dijes sapo ka nisur me himnin kombëtar, u dërgoj një urim të përzemërt për sa më shumë sukses e mbarësi të gjithë fëmijëve, nxënësve, mësuesve e prindërve të gjithë Shqipërisë", shkruan Rama.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, në mesazhin e saj të publikuar në rrjetet sociale shkruan se "Me himnin e flamurit, që këndohet sot nga të gjithë nxënësit në mbarë vendin, për të çelur siparin e vitit të ri shkollor, e që do të vijojë të këndohet çdo të hënë në të gjitha shkollat tona, ju uroj suksese e vit të mbarë".
Viti i ri shkollor këtë vit nis me disa risi, duke përfshirë shkollat e reja dhe shkollat e rikonstruktura dhe "Paketën e re të sigurisë publike në shkolla".
Sipas autoriteteve shqiptare, "Paketa e re e sigurisë publike në shkolla" ka për qëllim për të rritur sigurinë pranë institucioneve arsimore.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka ndjekur sot nga afër zbatimin e masave të "paketës së sigurisë" pranë disa shkollave në Tiranë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.