Sibel Vezaj
13 Prill 2017•Përditësim: 14 Prill 2017
PRISHTINË (AA)- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa priti në takim ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas këtij takimi në një konferencë për media Gabriel theksoi bashkëpunimin me Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Duke folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se kjo çështje nuk ka rëndësi vetëm në raport se është një kusht në rrugën e këtyre shteteve drejt BE-së, por edhe në aspektin e lehtësimit të jetesës së qytetarëve kosovarë dhe serbë.
“Jam i vetëdijshëm se pas një lufte, pas një konflikti të armatosur nevojitet angazhim, kohë dhe durim, se kjo është rruga e vetme për ta arritur një raport paqësor, por edhe stabilitet në rajon. Për këtë arsye promovojmë tek ju dhe pala serbe të evitohen provokimet, të pranohet realiteti dhe t’iu lehtësohet jetesa e qytetarëve”, tha Gabriel.

Ai duke theksuar se Kosova ka arritur një progres të madh në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, tha se tani është e rëndësishme ratifikimi i "demarkacionit" me Malin e Zi dhe i bëri thirrje Parlamentit të Kosovës që ta ratifikojë këtë marrëveshje.
“Pyetja e parë që duhet të shtrojmë është pse përfaqësuesit e popullit kosovar, anëtarët e parlamentit tuaj e bllokojnë një çështje e cila do ta lehtësonte jetën e qytetarëve në vend. Si pasojë e një qëndrimi të tillë nuk do të realizohet liberalizimi i vizave ngaqë BE-ja ka vendosur që ky të jetë një nga kushtet për liberalizimin e vizave , kështu që në mënyrë interne duhet të diskutohet dhe të sqarohet përse qëndrojnë përfaqësuesit e vetë këtij shteti (opozita) kundër këtij procesi”, tha Gabriel.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e transformimit të FSK-së, ai tha se Kosova ka të drejtën që të ketë ushtrinë sovrane, por që e gjithë kjo të bëhet në bazë të përfshirjes së të gjithë pjesëve të shtetit.
Kurse kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij theksoi rolin e Gjermanisë në zhvillimin e ekonomik të Kosovës, sidomos në fushën e ujit dhe të energjisë. Ai bëri të ditur se ka njoftuar ministrin gjerman për nevojën e intensifikimit të dialogut me Serbinë dhe implementimit të marrëveshjeve të arritura.
Mustafa po ashtu u shpreh se me kthimin e deputetëve të Listës Serbe në parlament, do të bisedohet dhe implementohet edhe marrëveshja e Asociaciacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas tij, duke respektuar marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në këtë fushë.
Ndërkaq lidhur me transformimin e FSK-së Mustafa tha se ky proces do të përfundojë në koordinim me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në, si dhe në debat me të gjitha komunitetet.
“Ne i kemi planet për themelimin e ushtrisë dhe konsiderojmë se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj, mirëpo ekziston pajtimi i të gjitha strukturave politike dhe institucionale të Kosovës në krye edhe me Presidentin e vendit që kjo çështje të bëhet në koordinim me NATO-n, me vendet e BE-së, me SHBA-në, që të zhvillohet debat me të gjitha komunitetet, edhe të bëjmë përpjekje që të marrim përkrahjen e të gjitha komuniteteve në mënyrë që formimi i ushtrisë të bëhet në pajtim gjithëpërfshirës”, tha Mustafa.
Sigmar Gabriel taim dhe me homologun kosovar
Në një njoftim nga MPJ e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi i cili ishte i mbyllur për media, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Gjermania mbetet një partner i fuqishëm strategjik për Kosovën.
Sipas njoftimit, gjatë takimit të dy homologët kanë shkëmbyer pikëpamjet për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Gjithashtu theksohet se Gjermania vazhdon ta mbështesë Kosovën në këtë rrugë, e veçmas në procesin e liberalizimit të vizave, por "është theksuar nevoja për më shumë përkushtim sa i përket ratifikimit të demarkacionit."
Ministri Hoxhaj dhe Gabriel kanë diskutuar edhe në lidhje me mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohjet e reja diplomatike.
Gabriel dje zhvilloi një vizitë edhe në Serbi, ku u takua me kryeministrin aktual Aleksandar Vuçiç.