Malik Hasa
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 10 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) – Kryeministrja e Polonisë, Beata Szydło, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri ku është takuar me Kryeministrin e vendit, Edi Rama. Pas ceremonisë së pritjes zyrtare, Rama dhe Szydło kanë zhvilluar një takim mes tyre dhe më pas kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij gjatë konferencës, Kryeministri Rama ka falënderuar homologen polake për vizitën në Shqipëri dhe ka vënë në dukje se Polonia është një vend që ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në aspiratat e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
“Diskutuam edhe për situatën në rajon, për progresin e bërë për të çuar më tutje bashkëpunimin rajonal në një kontekst tërësisht të ri që është krijuar falë procesit të Berlinit. Jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e forcimit të këtij bashkëpunimi në kontekstin e përgjithshëm të integrimit të vendeve të rajonit dhe sigurisht Shqipërisë me më shumë shpejtësi drejt BE-së”, ka thënë ndër të tjerat në fjalën e tij Rama.
Ndërsa Kryeministrja polake Shyzdlo, në fjalën e saj ka vënë në dukje marrëdhëniet e mira mes dy vendeve si dhe ka theksuar se ka potencial të lartë për bashkëpunim në disa fusha.
“Polonia gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në aspiratat e saj drejt BE-së. Deklarojmë vullnetin tonë për ta mbështetur Shqipërinë në këtë proces dhe jemi të gatshëm të ndajmë eksperiencën tonë të periudhës së para-aderimit”, ka shtuar ajo në vijim të fjalës së saj.
Dy kryeministrat më pas kanë marrë pjesë në Forumin Ekonomik Shqipëri-Poloni. Gjatë këtij forumi është zhvilluar edhe ceremonia e firmosjes së një memorandumi bashkëpunimi mes dy vendeve si dhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës.