Sibel Vezaj
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 10 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot priti në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) të Bashkimit Evropian, Angelina Eichhorst, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një noftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u bisedua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe për proceset integruese të Kosovës.
Me këtë rast kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar drejtoreshën Eichhorst për zhvillimet e fundit, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për avancimin e proceseve eurointegruese.
“Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin e saj të plotë në rrugën evropiane. Integrimi në BE është aspiratë e shumicës dërmuese të qytetarëve dhe institucioneve të saj, andaj kemi nevojë për përkrahje më të madhe në këtë rrugë, e cila siguron progres dhe stabilitet të gjithanshëm për Kosovën, rajonin dhe më gjerë”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Kurse drejtoresha e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Angelina Eichhorst, në takim ka folur rreth zhvillimeve të fundit dhe proceset që lidhen me rrugën evropiane, duke vlerësuar bashkëpunimin e Kosovës.
Gjatë takimit, gjithashtu është biseduar edhe për çështjet tjera, siç janë procesi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja, për liberalizimin e vizave, si dhe proceset tjera evropiane.
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) të Bashkimit Evropian, Angelina Eichhorst në kuadër të vizitës së saj në Kosovë, sot u takua edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçin.