Fatjon Cuka,Malik Hasa
07 Shkurt 2017•Përditësim: 07 Shkurt 2017
KONISPOL (AA) - Kryetari i Bashkisë së Afyonkarahisarit në Turqi, Burhanettin Çoban, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dhe kryetari i Shoqatës "ALSAR", Mehdi Gurra, kanë zhvilluar sot një vizitë në qytetin e Konispolit, raporton Anadolu Agency (AA).
Çoban, Bayraktar dhe Gurra janë vlerësuar me titullin "Qytetar nderi" të Bashkisë së Konsipolit, titull ky që u është dorëzuar gjatë një ceremonie nga kryetari i kësaj bashkie, Shuaip Beqiri. Ambasadori Bayraktar gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar me këtë rast u shpreh se ndodhen në këtë qytet për dorëzimit e ndihmave të ndryshme të ofruara nga Bashkia e Afyonkarahisarit, dukë përfshirë një ambulancë të kompletuar, pompa uji dhe ndihma të tjera të ndryshme.
Duke vënë në dukje se dy bashkitë janë binjakëzuar dy muaj më parë, ai tha se kjo ceremoni tregon se Turqia ka qenë dhe është e gatshme të qëndrojë pranë shqiptarëve nga veriu deri në jug.
"Me institucionet tona zyrtare, shoqatat jo qeveritare etj, po punojmë për të forcuar bashkëpunimin dhe miqësinë tonë të bazuar në themele të hershme. Prania e shumë shqiptarëve në Turqi si dhe fakti që ata tashmë kanë aktive edhe një shoqatë me emrin Çamëria, i motivon ata për të bërë më shumë për Shqipërinë", u shpreh ambasadori i Turqisë në Tiranë.
Ai ka falënderuar nënkryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi dhe kryetarin e Shoqatës ALSAR, Mehdi Gurra, për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhëniet mes dy popujve dhe në veçanti mes dy bashkive.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Afyonkarahisarit, Burhanettin Çoban, u shpreh se kanë pritur në Afyonkarahisar kryetarin e Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri, ku është firmosur edhe akti i binjakëzimit mes dy bashkive. Ai u shpreh më tej se si shenjë e kësaj vëllazërie ata kanë sjellë një ambulancë me të gjitha pajisjet si dhe ndihma për shkollat dhe infrastrukturën e qytetit.
Më pas është zhvilluar ceremonia e shpërndarjes së ndihmave të ofruara nga bashkia turke, ku përfshihen ndihma ushqimore dhe mjete të ndryshme për nxënësit e disa shkollave të Konispolit.
Kujtojmë se një delegacion nga Bashkia e Konispolit ka realizuar një vizitë në Bashkinë Afyonkarahisar, në Turqi, në muajin nëntor të vitit të kaluar.