Dzihat Aliju
05 Tetor 2017•Përditësim: 06 Tetor 2017
SHKUP (AA) - Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, filloi Kongresi Ndërkombëtar Studentor që këtë vit organizohet për herë të katërt nga ana e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e kongresit morën pjesë Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani, dhe shumë akademikë dhe studentë.
Në fjalën e tij para gazetarëve, Osmani tha se është kënaqësi që sot mban fjalim në emër të qeverisë përpara një grupi studentësh nga vende të ndryshme.
Ai po ashtu shprehu kënaqësi që Maqedonia organizon një ngjarje të tillë. "Është kënaqësi që Maqedonia organizon një ngjarje të tillë në të cilën flitet për epokën e re, për sfidat e reja të globalizimit. Është qëllimi ynë si një sekretariat, si një qeveri, të sjellim vlerat evropiane në Maqedoni dhe në shoqërinë tonë", tha Osmani.
Marrin pjesë 80 studentë nga 35 shtete
Ndërkaq, Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Ismail Kocayusufoğlu, tha se Kongresi organizohet çdo vit nga ana e studentëve të universitetit.
Ai tha se ndihet i nderuar për pjesëmarrjen e madhe dhe që ka mirëpritur zëvendëskryeministrin Osmani. "Studentët do të diskutojnë në nivel akademik, nivel shkencor, për atë çfarë do të presë bota e re nga ne. Ata patjetër do të punojnë dhe do të diskutojnë mbi atë se si të ndërtojnë paqen në botë", tha Kocayusufoğlu.
Nga ana tejtër, studenti i IBU-së dhe njëherësh kryetar i Komitetit Organizativ, Dikica Pavlloviç, tha se është nder të jenë mirëpritës të një ngjarjeje të tillë të madhe, një konferencë e madhe ndërkombëtare, ku marrin pjesë 80 studentë nga 35 vende të ndryshme.
Ndryshe, Kongresi i Katërt Ndërkombëtar Studentor me temë "Krijimi i botës së re në një epokë të globalizuar" që realizohet me mbështetje të Drejtorisë së Qendrës Kulturore Ataturk nga Turqia, do të përfundojë më 6 tetor.