Senada Ibraimova
28 Dhjetor 2016•Përditësim: 29 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) në prani të përfaqësuesve të kompanive mbajti konferencë për media me theks mbi masat aktive për mbështetje të grave në sektorin privat, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë mori pjesë drejtori operativ i LOEM-it, Aleksandar Zarkov, drejtoresha e Agjencisë për punësim në Shkup Sllobodanka Aleksovska, kryetarja e Shoqatës së Grave Afariste nga Maqedonia, Valentina Disoska si dhe përfaqësues të kompanive.
Nga LOEM-i deklaruan se sipas të dhënave, lidhur me punësimin e grave më së shumti janë të përfaqësuara në sektorin e shërbimeve.
Drejtori operativ Zarkov theksoi se nëse vazhdon bashkëpunimi mes LOEM-it, Agjencisë për Punësim dhe Shoqatës së Grave Afariste në Maqedonisë, do të rritet përqindja e përfaqësimit të grave në sektorin privat, që momentalisht arrin 2-10 përqind.
Drejtoresha e Agjencisë për Punësim në Shkup, Sllobodanka Aleksovska, në deklaratën e saj tha se në masat për punësim që agjencia filloi t’i zbatojë nga viti 2007, ka kujdes që gratë të përfaqësohen me së paku 30 përqind.
Ajo thotë se gjatë zbatimit të këtyre masave, në këto vite tejkalohet përqindja prej 30 për qind, “Në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2016, prej gjithsej 108 mijë e 424 pjesëmarrësve, mbi 51 mijë e 651 janë gra pjesëmarrëse në masat dhe shërbimet aktive, që do të thotë se mbi 50 përqind e pjesëmarrësve në masat aktive dhe politika janë gratë”, tha Aleksovska.
Sipas Aleksovskas, punësimi më i madh i grave përfaqësohet përmes masës për vetëpunësim me grant (35.8 përqind gra), në vetëpunësim me kreditim (33.3 përqind gra), në trajnim tek ndonjë punëdhënës i njohur (mbi 75 .1 përqind gra), ndërsa po ashtu gratë më së shumti vizitojnë trajnime për shkathtësi, gjuhë dhe kompjuterë, gjegjësisht mbi 67.7 përqind e numrit të përgjithshëm të vizitorëve kanë qenë gra.
Nga ana tjetër kryetarja e Shoqatës së Grave Afariste të Maqedonisë, Valentina Disoska mes tjerash u përqendrua në përfaqësimin gjinor në sipërmarrësi.
“Sipas tre indikatorëve kyç me të cilët matet balancimi gjinor, siç janë indeksi i pabarazisë gjinore i Kombeve të Bashkuara, hendeku global mes gjinive nga Forumi Ekonomik Botëror, si dhe indeksi i OSID-it për institucionet sociale dhe indeksi gjinor, ne ende ngecim prapa balancimit gjinor”, tha Desoska.
Ajo shtoi se duhet në mënyrë aktive të punohet në përforcimin e sipërmarrësisë së grave përmes nismave të ndryshme.