Sibel Vezaj
05 Dhjetor 2016•Përditësim: 05 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) së bashku me përfaqësuesit e UNDP-së dhe Institutit Demokratik të Kosovës, sot mbajtën fjalime në kuadër të “Javës kundër korrupsionit” në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O'Connel shprehu bindjen se qytetarët e Kosovës me votat, veprat dhe zërin e tyre do ta luftojnë korrupsionin. Duke folur për çështjen e nepotizmit, O'Connel tha se “Profesionalizmi është ajo që kërkohet nga shoqëria dhe nga çdokush. Duhet të punohet tani në këtë drejtim që të mos punësohet dikush vetëm pse e njeh dikënd. Por, kjo kërkon edhe vullnet politik dhe prandaj qeveria britanike e ka mbështetur një projekt i cili ndihmon qeverinë në prokurimin në bazë të meritave e jo të nepotizmit”.
Ai po ashtu theksoi se prania e ambasadorëve këtu është një shenjë e qartë që bashkësia ndërkombëtare interesohet dhe është i shqetësuar me nivelin e korrupsionit.
Kurse ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets foli për korrupsionin në fushën e prokurimit publik dhe theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit për tërheqjen e investimeve. Duke vënë në dukje se ky është një problem i cili duhet të adresohet, Viets tha se “Prandaj ne jemi këtu, për mbrojtjen e dëshmitarëve, masave kundrejt shpërlarjes së parave dhe më së shumti Qeveritë duhet të garantojnë dhe të ofrojnë shërbime cilësore me çmim të duhur. Kjo do të thotë se ata duhet të kenë një sistem të fuqishëm të prokurimit dhe ato sisteme duhet të jenë transparente dhe të fuqishme”.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie gjatë fjalimit të tij tha se me këtë pjesëmarrje shtetet e Quintit tregojnë përkrahjen e tyre në luftimin kundër korrupsionit. Por ai shtoi se rëndësia në luftimin e këtij fenomeni mbetet tek qytetarët e Kosovës. Delawie po ashtu theksoi se llogaridhënia në sistemin gjyqësor duhet të rritet dhe se prokurorët duhet të jenë më përgjegjës ndaj luftës kundër korrupsionit.
Ambasadori Italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi tha se lufta kundër korrupsionit është pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit dhe të procesit të integrimeve evropiane. Ai u fokusua në mashtrimin në taksa dhe shtoi se ky proces duhet të luftohet sepse dëmton rëndë ekonominë e vendit. Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, foli për luftimin me bizneset ilegale. Ai theksoi se duhet të luftohet ekonomia joformale, dhe se duhet të forcohet sektori privat dhe publik.
Ndërkaq, nga ana e saj, ambasadorja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova foli për transparencën dhe financimin e partive politike. Ajo me këtë rast theksoi se KQZ-ja duhet të sigurojë zbatimin e ligjit dhe duhet të marrë masa nëse ka vonesa në transparencë dhe shtoi se Kuvendi i Kosovës duhet të sigurohet që t’i ketë raportet financiare.
“Votuesit dhe qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dijnë se kush i financon partitë politike dhe kandidatët të cilët po kërkojnë votat e tyre dhe ata kanë të drejtë të dijnë se si shpenzohen këto para nga partitë politike”, tha Apostolova.
Kurse Artan Canhasi, menaxher i programit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) tha se transparenca dhe llogaridhënia janë çështje thelbësore për zhvillimin e vendit.
Në kuadër të “Javës kundër korrupsionit”, organizata të ndryshme do të bëjnë lansimin e kësaj dukurie negative, ku me këtë rast do të hapet hapet solemnisht edhe Muzeu i Korrupsionit.