Fatjon Cuka
13 Dhjetor 2016•Përditësim: 14 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) -Në Tiranë është organizuar nga një grupim i organizatave të shoqërisë civile tryeza e diskutimit për prezantimin e raportit me temë “Vlerësimi i Integritetit të Policisë në Shqipëri”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas organizatorëve, ky aktivitet kishte si qëllim të nxisë diskutimin mbi sfidat dhe prioritetet e reformës në polici përgjatë fundit të vitit 2015 dhe 2016, ndërsa kjo nismë rajonale ka në përbërje disa organizata partnere në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Malin i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Çështjet që u diskutuan gjatë aktivitetit ishin mbikëqyrja parlamentare dhe ajo e institucioneve të pavarura ndaj policisë, efektiviteti i kontrollit të brendshëm në luftën kundër korrupsionit në polici, menaxhimi financiar, menaxhimi i burimeve njerëzore në polici, etj.
Sipas gjetjeve të raportit, ekziston një sistem kompleks i kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm të Policisë së Shtetit në vend, sistem që karakterizohet nga një bashkëpunimi dhe shkëmbim i pamjaftueshëm informacioni mes autoriteteve përgjegjëse për mbikëqyrjen.
Vihet në dukje se kuadri institucional për kontrollin e punës së policisë është hartuar dhe tashmë është pothuajse i plotë.
Gjithashtu në raport theksohet se qytetarët në përgjithësi janë të paqartë në lidhje me kanalet dhe autoritetet e duhura ku duhet të raportojnë korrupsionin apo sjellje të pahijshme, ku shtohet se ky konfuzion vjen nga prania e një numri tepër të madh aktorësh.
Në panelin e diskutimeve morën pjesë përfaqësues nga Avokati i Popullit, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, etj.