Figen Shaban
28 Korrik 2017•Përditësim: 29 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me përkrahje nga programi Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) dhe në partneritet me 'Swisscontact' që financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC) për hërë të dytë organizoi "Panairin e Tregtisë Inverse" që mbahet në formën e takimeve B2B, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, në fjalën e tij me rastin e hapjes së panairit theksoi se ky panair organizohet me qëllim të promovimit të produkteve vendore, përmirësimit të mjedisit biznesor dhe përmirësimit të imazhit të prodhimeve “Made in Kosova”.
“E vëçanta e këtij takimi do të jetë rrjetizimi i kompanive të mëdha dhe të shkëmbimi i informacioneve lidhur me atë çka ofrohet nga prodhimet vendore dhe cila është mundësia që këto prodhime të jenë në shërbim të plotësimit të kërkesave të konsumatorëve. Dhe e tëra kjo që të ndikojë në forcimin e sektorit privat dhe sektorit prodhues”, u shpreh Gërxhaliu.
Ai po ashtu tha se edhe pse në Kosovë kohëve të fundit është duke dominuar axhenda politike tha se ekonomia dhe biznesi nuk njohin kufi, ”këtë e dëshmon sot një prani mjaft e madhe e bizneseve nga veriu i Mitrovicës dhe vendet tjera të Kosovës dhe e tëra kjo i jep projektit një ngjyrë dhe një rëndësi të veçantë”.
Ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami në fjalën e saj drejtuar prodhuesve dhe investitorëve kosovarë tha se do të jetë një zë i fuqishëm i bizneseve brenda parlamentit dhe do të vazhdojë të luaj rolin e avokatit të sektorit privat me qëllim që të dëgjohet zëri i tyre.
“Vendet e reja të punës nuk krijohen më në admisitratën publike por krijohen nga bizneset. Ju jeni të vetmit ata që krijoni një gjendje ekonomike dhe krijoni vende të reja të punës. Ju jeni ata që mbushni buxhetin e shtetit, ndërtoni shtetin tonë dhe infrastrukturën. Andaj zëri juaj duhet të dëgjohet dhe unë shpresoj që pasardhësit tanë në qeveri të vazhdojnë me projektet të cilat ne nuk i kemi përfunduar si dhe të vazhdojnë me implementimin e pakos së dytë fiskale”, tha Bajrami.
Ndërsa, Sigrid Meijer, nga PPSE – Swisscontact tha se ky koncept i panairit ka patur një drejtim të mirë dhe të suksesshëm dhe ka për qëllim të krijojë vende të reja të punës në sektore të ndryshme si në sektorin e ushqimit dhe të turizmit. Ajo theksoi se në këtë panair afaristët, pronarët e hoteleve dhe restoranteve anëmbanë Kosovës dhe prodhuesit e ndryshëm vendor do ta kenë rastin të bashkëpunojnë.
Ndryshe, Panairi i Tregtisë Inverse është një koncept i ri në Kosovë dhe ka një qasje tjetër nga panairet e zakonshme në Kosovë, sepse aty nuk prezantohen produktet e bizneseve nëpër shtande, mirëpo bizneset e kanë rastin të ekspozojnë kërkesën e tyre për produkte dhe shërbime të cilat i blejnë brenda apo jashtë vendit