Agon Fehmiu
02 Mars 2016•Përditësim: 03 Mars 2016
PRISHTINË (AA) - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) sot ka prezantuar master planin për lagjen "Kodrina" e cila është rezultat i konkursit ndërkombëtar të organizuar nga ndërmarrja ndërtimore Tregtia në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, të cilin e ka fituar studio “Libeskind", një ndër top studiot botërore projektuese me seli në Nju Jork, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke prezantuar projektin, kryetari i OEK-së, Safet Gërxhaliu tha se impakti ekonomik i këtij projekti është i madh sepse behët fjalë për njërin ndër projektet më të mëdha në rajon i cili do të realizohet me produktet e prodhuara në Kosovë.
“Projekti ka rreth 650 mijë metra katrorë dhe në afat përfundimi prej 10 viteve dhe krijon kushte banimi prej 18 mijë deri 20 mijë banorë. Implementimi i projektit nxit një cikël te gjerë zhvillimi. Pritet punësimi vjetor i 700 punëtorëve, në dhjetë vitet e ardhshme dhe njëkohësisht do të punëson kapacitetet e industrisë ndërtimore të vendit po në këtë periudhë”, theksoi Gërxhaliu.
Ai tregoi se e veçanta e projektit është një partneritet model në mes të Komunës dhe sektorit privat dhe është një ndër projektet e para që i përmbush të gjitha kriteret urbanistike, ekologjike dhe futurologjike.
Gërxhaliu e vlerësoi këtë projekt si shembull të shkëlqyeshëm të bashkëpunimit ndërmjet të një Komune dhe sektorit privat, që mund të jep rezultate shumë të mira.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu vlerësoi se Prishtina për 15 vitet e fundit ka qenë një kantiere ndërtimi por pa një vizion dhe plan të saktë të asaj që duhet ndërtuar.
“Projekti i Kodrinës është bashkëpunim në mes të një investitori me 113 pronarë të tokave, me një konkurs ndërkombëtar ku e kemi studio Libeskind dhe shumë të tjerë që marrin pjesë në krijimin e një hapësire të madhe në qytetarin e Prishtinës, një lagje të tërë, gjë që për një kohë të gjatë nuk ka ndodhur në Prishtinë”, tha Sejdiu.
Sipas tij, ky projekt ka rëndësi se e vendos Prishtinën në hartën e kompanive të mëdha projektuese dhe kapitalin vendor e vendos në funksion të zhvillimit dhe njëkohësisht e forcon idenë për mundësinë e investimeve dhe PPP-së apo Partneritetit Publiko Privat.
Përfaqësuesi i kompanisë Libeskind nga New Yorku, Stefan Blach konsideron se ky projekt parqet një vizion se, si duhet të duket një qytet në të ardhmen.
“Më shumë se 500 mijë metra katrorë hapësirë për banim, 150 mijë metra hapësirë për biznese. Ndoshta për komunën e Prishtinës duket shumë e madhe që në një hapësirë kemi kaq shumë hapësirë për banim dhe për afarizëm. Por, në qoftë se analizohet hapësira për ndërtim në lagjen Mati 1, aty është bërë një punë e madhe por nuk ka arritur komplet të përmbajë gjithë atë që ka nevojë ta ketë një kompleks modern për banim”, tha Blach, duke shtuar se zhvillimi urban në të ardhme duhet të jetë i fokusuar në hapa të sigurt dhe gjithëpërfshirës.
Ekspozita e master planit të këtij projekti do të jetë e hapur edhe dy ditë, në ambientet e OEK-së, ndërsa atë do të mund ta vizitojë kushdo që ka dëshirë të informohet më shumë për këtë projekt gjigant.