Fatjon Cuka
18 Shkurt 2017•Përditësim: 19 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Protesta e partive opozitare, udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë po vazhdon në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa pjesëmarrësve iu është drejtuar me një fjalim, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit e ardhur pothuajse nga të gjitha qytetit e vendit janë mbledhur në sheshin "Dëshmorët e Kombit", përballë godinës së Këshillit të Ministrave, duke brohoritur me slogane kundër qeverisë. Disa nga pjesëmarrësit në protestë kanë vendosur një çadër të madhe në bulevard, ndërsa ora e përfundimit të protestës nuk është përcaktuar.
Gjatë protestës, mbajti një fjalim kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili theksoi se janë mbledhur sot në këtë protestë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe sipas tij për ndarjen e politikës nga krim.
"Bashkimi më i madh popullor që ka njohur ndonjëherë ky vend, është derdhur sot këtu në këtë shesh, sheshin e lirisë, sheshin e protestës, sheshin e vendimit të madh për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Ne jemi mbledhur sot këtu, sepse kjo qeveri e ka çuar vendin në mjerim, në varfëri dhe kaos. Duam zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndarjen e politikës nga krimi, duam dinjitet, drejtësi, punë dhe një të ardhme dinjitoze që na bën krenarë për vendin tonë", u shpreh Basha.
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet një mesazhi në profilet e tij në rrjetet sociale shprehet se qeveria do të ndjekë e dëgjojë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por sipas tij, "nuk do të ndalet në asnjë minutë në përmbushjen e misionit për të bërë shtet".
Nga ana tjetër policia ka marrë disa masa për të garantuar rendin gjatë dhe pas përfundimit të protestës, ku janë angazhuar rreth 2000 forca policore.