Zülfiya Yakup
05 Shkurt 2017•Përditësim: 05 Shkurt 2017
MITROVICË (AA)- Muri kontestues afër urës në veri të Mitrovicës është shembur me ekskavatorë që i siguroi pushteti lokal i Mitrovicës Veriore, raporton Anadolu Agency (AA).
Shembja e murit të gjatë rreth 50 metra është kryer në mënyrë të qetë dhe pa incidente, me një prani të madhe të përfaqësuesve të mediave vendore dhe të huaja.
Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, deklaroi se shembja e murit për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, paraqet kënaqësi të madhe, meqë me lëvizjen e lirë bashkohet qyteti.
“Ky mur ishte jashtë planit. Për mua ky mur ishte ilegal dhe tani, siç e shihni, po largohet dhe shpresoj se në të ardhmen nuk do të kemi provokime të tilla, por bashkëpunim të ngushtë, një rajon të përbashkët, rajon të qetë për të gjithë qytetarët”, tha Bahtiri. I pyetur që të komentojë planin e ri të rivitalizimit të urës i cili, po ashtu, parashikon mur në formë të kaskadës në lartësi prej rreth 70 centimetrave, por dy metra thellë në brendësi të pjesës veriore të Mitrovicës, Bahtiri tha se asnjëherë nuk ka qenë kundër planit që është në pajtim me standardet evropiane dhe që siguron lëvizje të lirë të qytetarëve.
“Në shumë qytete të botës ka edhe shkallë edhe mure që mbrojnë qytetarët nga automjetet. Ashtu që konsideroj se kjo nuk ndikon shumë, por ndikon vendosmëria e të gjithë qytetarëve edhe serbëve edhe shqiptarëve të cilët u shprehën se janë kundër murit dhe kundër ndarjes”, theksoi Bahtiri.
Pas shembjes së murit, të hënën ose të martën, fillon përpilimi i një zgjidhjeje të re projektuese. Autoritetet lokale në Mitrovicë në kuadër të punëve të rivitalizimit të urës sipas projektit të Bashkimit Evropian, në fillim të muajit dhjetor të vitit 2016 ndërtuan mur afër urës në Ibër të lartë rreth 2 metra, që shkaktoi reagime të shumta në Prishtinë.
Pas tensioneve të shumta dhe negociatave me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfundimisht të shtunën u arrit marrëveshje për shembjen e murit. Marrëveshjen e nënshkruan kryetari Goran Rakiç dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala. Garantues të marrëveshjes janë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Natalia Apostolova dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.
Marrëveshjen më pas njëzëshëm e miratuan edhe nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore.