Bekim Laci
05 Shkurt 2017•Përditësim: 05 Shkurt 2017
SHKUP (AA) - Mjegulla e dendur e cila ka rënë në fushëgropën e Shkupit është duke rënduar trafikun ajror, por edhe atë rrugor, ku si pasojë janë anuluar disa fluturime nga aeroporti i Shkupit, por edhe atermime në të njëjtin, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave në faqen e internetit të koncesionarit të aeroportit TAV Maqedoni, në aeroportin "Aleksandri i Madh" në Shkup nuk janë realizuar fluturimet nga Stambolli dhe për në Stamboll, si dhe fluturimet e mëngjesit të sotëm për në Zagreb dhe Barcelonë, dhe ato të mëvonshmet për në Cyrih dhe Lubjanë, ndërsa ka vonesa në nisjet për në Vjenë.
Dy fluturimet nga Cyrihu janë orientuar për në aeroportin e Ohrit, ndërsa fluturimi nga Parisi është orientuar të aterojë në aeroportin e Prishtinës, njofton aeroporti i Shkupit.
Ndërkohë edhe trafiku rrugor zhvillohet me pengesa, pasi sipas Lidhjes Automoto të Maqedonisë (LAMM), në aksin rrugor Shkup-Tetovë dhe Shkup –Katllanovë dukshmëria është mes 50 dhe 100.
LAMM rekomandon drejtimin e automjeteve në mënyrë të kujdesshme dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor.